Anëtari i lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi, ka vazhduar sulmet ndaj gazetarëve ku ditën e djeshme ka eskaluar në fyerje ndaj Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), duke i cilësuar si ‘aleancë e grupeve kriminale’.
Kjo deklaratë ka sjellë reagime të forta ndaj Kurteshit dhe LVV-së duke u dënuar një gjuhë e tillë ndaj mediave.
Në lidhje me deklaratëne Kurteshit ka folur për “Gazeta Blic”, gazetari Valon Rashiti i cili ditë më parë pati një përplasje të drejtpërdrejtë me të njëjtin në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.
Rashiti potencoi se sjellja e Kurteshit nuk përbën befasi për të pasi i sipas tij ai është ‘ një recidivist në raport me gazetarët’ që vazhdimisht i ka fyer dhe denigruar.
Ai tha se përplasja e tij me të ishte vetëm vazhdim i të njëjtit model sjelljeje.
“Sjellja e z. Kurteshit, për ta thënë hapur, nuk përbën befasi. Ai është një recidivist në raport me gazetarët: vazhdimisht i ka fyer, denigruar dhe ka tentuar t’i linçojë publikisht. Përplasja e asaj dite me mua, në një moment kur unë po përpiqesha t’i drejtoja pyetje krejt legjitime, ishte vetëm vazhdim i të njëjtit model sjelljeje.Këtë e dëshmoi edhe më qartë kur e quajti Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës “aleancë të grupeve kriminale”, një etiketim krejtësisht i papranueshme për një organizatë që mbron lirinë e shtypit në vend” deklaroi gazetari i VoxKosova, Valon Rashiti.
Sipas gazetarit, Rashiti, ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është mos-reagimi i kryetarit të LVV-së ndaj tij.
“Ajo që e bën situatën edhe më të rëndë është fakti se Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk po ndërmerr asnjë masë ndaj tij. Përkundrazi, duket se ky lloj diskursi është i toleruar në mos i inkurajuar — nga vetë kryeministri, i cili edhe vetë ka përdorur shpesh etiketime ndaj mediave dhe gazetarëve.Mungesa e reagimit politik vetëm sa e normalizon sulmin ndaj profesionistëve të medias dhe krijon një atmosferë ku fyerjet dhe intimidimi trajtohen si sjellje të pranueshme. Megjithatë, pavarësisht këtyre presioneve dhe sulmeve verbale, ne si gazetarë do të vazhdojmë ta bëjmë punën tonë. Kjo është detyra jonë profesionale dhe misioni ynë publik — dhe askush nuk mund të na e ndalë kërkimin e së vërtetës”.
Rashiti tha se sjelljet dhe ofendimet e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetarëve kanë bërë që puna e gazetarëve të vështirësohet.
“Sjelljet dhe ofendimet e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj gazetarëve kanë bërë që puna e gazetarëve të vështirësohet. Siç edhe e dini, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete. Pra fatkeqësisht, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian” tha Rashiti në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
/Gazeta Blic/


