Lajme

Rashiq shprehet i shqetësuar për gjendjen e Trajkoviqit

2 vite më parë
nga:Astrit Gashi

Ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, është shprehur i shqetësuar për gjendjen e këshilltares së tij, Rada Trajkoviq, e cila ka thënë se është ndaluar nga policia serbe, si më 15 dhjetor, kur ka tentuar të hyjë në Kosovë, ashtu edhe më 16 dhjetor kur ka tentuar të dalë nga ky shtet.

Ajo ka thënë se policia serbe e ka ndaluar për disa orë në pikën kufitare në Merdare dhe ia ka “konfiskuar dokumentet”.

Ministri Rashiq ka thënë në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës se Trajkoviq është me diabet dhe duhet të ketë trajtim të duhur për këtë sëmundje.

Ai ka bërë thirrje që autoritetet në Kosovë të njoftojnë shtetet e QUINT-it për këtë situatë.

Shtetet e QUINT-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se i vjen keq për diçka të tillë dhe ka thënë se Ministria e Punëve të Jashtme është e angazhuar në këtë drejtim.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka thënë se është duke komunikuar me Zyrën e Bashkimit Evropian dhe ambasadat e vendeve të QUINT-it, dhe se beson që Trajkoviq do të mund të udhëtojë brenda një kohe të shkurtër.