Sporti

Rashani prezantohet tek skuadra spanjolle

09/11/2024 22:59
nga:Mergim Rreci

Futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Elbasan Rashani është larguar nga Franca për ta vazhduar karrierën në Spanjë.

Rashani, të mërkurën është prezantuar tek Elche, ekip që bën gara në kategorinë e dytë të Spanjës.

Sulmuesi kosovar i është bashkuar Elches nga Clermonti, ndërsa detajet e marrëveshjes nuk janë bërë të ditura.

31-vjeçari kishte kontratë me Clermontin deri në vitin e ardhshëm, por u largua pas katër sezonesh te kjo skuadër për shkak se nuk bënte pjesë në planet e trajnerit.

Në prezantimin e tij tek Elche, Rashani ka thënë se është i lumtur që do të jetë pjesë e kësaj skuadre, me të cilën ka stërvitur dy javët e fundit.

Ai ka insistuar se do ta ndihmoj ekipin në arritjen e synimeve, qoftë duke u inkuadruar nga banka e rezervistëve apo si titullar.

Te skuadra e Elches, Rashani do ta bartë fanellën me numrin 11-të, ndërsa tashmë ka luajtur 10-të minuta në kategorinë e dytë spanjolle.

Me vetëm një fitore në katër xhiro të luajtura deri më tani, Elche është i 19-ti në tabelë me 3 pikë, ndërsa këtë vikend luan në udhëtim te Granada.