Sporti

Raportohet se Interi refuzoi një ofertë prej 25 milionë eurove për Kristjan Asllanin

12/19/2024 16:09
nga:Mergim Rreci

Interi ka refuzuar disa oferta për mesfushorin shqiptar Kristjan Asllani, duke treguar besim të vazhdueshëm në potencialin e tij.

Sipas raportimeve mediatike italiane, njëra nga këto oferta ishte veçanërisht e lartë, me vlerë rreth 25 milionë euro, por klubi zikaltër e refuzoi atë, duke e konsideruar Asllanin si pjesë të rëndësishme të planeve afatgjata.

Në shtator 2024, Interi njoftoi zyrtarisht se Asllani ka nënshkruar zgjatjen e kontratës që e lidh atë me klubin deri në qershor 2028, duke theksuar besimin në aftësitë dhe potencialin e tij për të kontribuar në sukseset e ardhshme të skuadrës zikaltër.

Pavarësisht interesit nga klube të tjera, Interi e ka bërë të qartë se Asllani është i paprekshëm. Pra, nuk është i gatshëm ta shesë atë. Trajneri Simone Inzaghi e sheh shqiptarin si një lojtar kyç për të ardhmen, sikurse klubi beson se ai do të ketë një rol më të madh në sezonet e ardhshme.

Asllani, i cili u transferua tek Interi nga Empoli, ka treguar përmirësime të vazhdueshme dhe është vlerësuar për performancat e tij si në nivel klubi, ashtu edhe me kombëtaren shqiptare.

Pavarësisht konkurrencës në mesfushën e Interit, ai pritet të ketë më shumë minuta loje në të ardhmen, duke kontribuar në kompeticionet vendase dhe ndërkombëtare.