Lajme

Raportimi për prishje koalicioni LVV-LDK në Mitrovicë, deklarohet Peci

02/03/2026 23:02
nga:Genita C

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mund ta rishqyrtojë bashkëpunimin qeverisës me Lëvizjen Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës së Jugut, duke hapur mundësinë e prishjes së koalicionit lokal.

E gjithë kjo pasi raportohet se raportet mes LVV-së e LDK-së janë përkeqësuar kohëve të fundit për shkak të emërimit të drejtorëve komunalë.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila e ka pushtetin në Komunën e Mitrovicës së Jugut, ka emëruar drejtorë pa u dakorduar me partnerin e koalicionit.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Faton Peci, ka mohuar se ka pranuar ndonjë njoftim zyrtar apo jozyrtar nga LDK për ndërprerjen e bashkëpunimit.

“Takime kam çdo ditë me qytetarë, partnerë e aktorë të ndryshëm. Sa i përket qëndrimeve dhe planeve të LDK-së, besoj se ata i ndajnë vetë për hir të transparencës. Nga LDK unë nuk kam asnjë njoftim, as formal e as joformal, për shkëputje të bashkëpunimit të dakorduar,” ka deklaruar Peci.

Ai ka theksuar se mbetet i hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët politikë dhe se tashmë janë diskutuar proceset kryesore që lidhen me qeverisjen lokale.

“Jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë partnerët, siç kam qenë gjithmonë, për çdo çështje që është në të mirë të qytetarëve,” ka shtuar kryetari i Mitrovicës së Jugut./telegrafi/