Lajme

Raportimet për ngacmime seksuale nga profesorët, menaxhmenti i UP-së: Çdo rast do të ketë epilog meritor

04/17/2024 14:26
nga:N K

Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës ka deklaruar se me vëmendje të posaçme po i përcjell edhe sot reagimet për rastin e denoncimit në Këshillin e Etikës të shkeljes së pretenduar për ngacmim seksual dhe mosvlerësim nga profesori universitar, Xhevat Karasniqi.

Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se menaxhmenti po e ndjek nga afër dhe me kujdes të shtuar rastin, si dhe insiston në adresimin sa më të shpejtë, të drejtë dhe meritor të të gjitha rasteve të kësaj natyre, me qëllim përfundimtar ndriçimin e së vërtetës dhe marrjen e vendimit dhe shqiptimin e masës së merituar.

“Për hir të korrektësisë, UP-ja bën me dije se sot, në takimin e radhës të mbajtur nga Këshilli i Etikës, për herë të parë në seancë dëgjimore janë lejuar mediat dhe të gjitha palët e interesuara për të përcjellë nga afër takimin e Këshillit të Etikës për rastin në fjalë dhe kësisoj për të dëgjuar deklarimet dhe dëshmitë e të gjitha palëve”.

“Si për çdo rast, edhe në rastin në fjalë, Këshilli i Etikës, si organ i pavarur i UP-së, i emëruar nga senati, zhvillon procedurat e përcaktuara dhe të zbatueshme ligjore, përfshirë në mënyrë të posaçme procesin e përcaktuar në rregulloren përkatëse të UP-së për procedurat dhe masat disiplinore”.

“Menaxhmenti i UP-së siguron dhe garanton tërë opinionin publik, palët në proces, studentët dhe pjesëtarët e stafit akademik dhe jo vetëm, se adresimi i çdo pretendimi për sjellje që bien ndesh me normat e kodit etik dhe kuadrin normativ, të kujtdo qoftë, do të përcillet me vëmendje të shtuar derisa të marrë epilog meritor në përputhje të plotë me procedurat dhe rregullat në fuqi, bazuar në faktet dhe provat për secilin rast”, thuhet në njoftim.