Lajme

Raportimet për Martin Berishajn, Haradinaj: Qeveria nuk verifikoi mirë ambasadorët

04/23/2022 08:07
nga:Astrit Gashi

Ish-kryediplomatja kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, ka folur rreth raportimeve për përfshirjen e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në aferën “Golob”.

Haradinaj-Stublla tha për Klan Kosova se Qeveria e Kosovës i ka tejkaluar disa procedura të verifikimit në emërimin e ambasadorëve të rinj.

“Ne kemi parë që kjo qeveri ka bërë një emërim shumë të shpejtë dhe me procedura të shpejta për shkak të rrethanave që tashmë dihen të emërimit të ambasadorëve. Nuk mund të spekuloj, pasi nuk i kam të gjitha informatat, por mbase i kanë tejkaluar disa procedura të verifikimit më shpejt sesa që do të ishte një procedurë e rregullt dhe e verifikimit të plotë të një personaliteti që emërohet në një pozitë kaq të lartë. Kur kemi të emëruar politik çështja është edhe më problematike sepse vihet në pikëpyetje edhe integriteti institucional”.

Megjithatë, ish-kryediplomatja vlerëson se përderisa këto pretendime për Berishajn janë në zhvillim, duhet pasur kujdes deri në një të vërtetë të saktë për të gjithë ngjarjen.

“Këto pretendime që i vishen ambasadorit të Republikës së Kosovës në Kroaci janë pretendime ende në zhvillim dhe ato i vishen integritetit moral dhe profesional të ambasadorit. Si parim, së paku për mua personalisht, kam prirje që t’u besoj më shumë institucioneve tona sesa disa mediumeve që ndoshta në kohë të fushatave zgjedhore mund të kenë mbase edhe ndonjë interes më të rëndësishëm sesa e vërteta e një figure që përfaqëson Kosovën në këtë moment”.

“Duke marrë parasysh këtë premisë, mendoj që duhet të jemi shumë të kujdesshëm me këto pretendime dhe përdorimit të fakteve, të cilat tanimë i kemi në dispozicion dhe me titujt dhe konkluzat siç i kam parë në disa portale sot – që kishin tituj konstatues dhe se ato pretendime janë të mirëqena ende pa e pasur një të vërtetë të saktë për gjithë ngjarjen se çfarë saktësisht ka ndodhur”.

“Nëse këto pretendime dalin të jenë të vërteta është problematike vetë integriteti dhe profesionalizmi i institucioneve të sigurisë të cilat paraprakisht duhet të bëjnë një verifikim të sigurisë së të gjitha figurave të cilat nominohen dhe emërohen në pozicione të tilla si siç është çështja e ambasadorit”, deklaroi Haradinaj-Stublla