Lajme

“Raporti për lirinë e mediave”, Kryeziu thotë se sulmet ndaj gazetarëve dhe rasti i Klan Kosovës ndikuan në regres

05/03/2024 13:44
nga:Sh R

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në lidhje me raportin e organizatës “Reporterët pa Kufij” të cilët e renditën Kosovën 19 pozita më poshtë sa i përket lirisë së shtypit ka thënë se janë dy çështje kryesore që kanë ndikuar në këtë renditje si sulmet ndaj gazetarëve nga bandat kriminale serbe në veri në muajt maj-korrik të vitit të kaluar dhe rasti i Klan Kosovës.

“Në krahasim me raportin e vitit të kaluar, duket që janë dy çështje kryesore që kanë diktuar renditjen e Kosovës në Indeksin e Lirisë së Mediave këtë vit. E para, sulmet ndaj gazetareve e gazetarëve nga bandat kriminale të strukturave paralele të Serbisë në katër komunat në veri në mes muajve maj-korrik 2023, e që në raport qenkan përshkruar me një gjuhë neutrale: “sulmet ndaj gazetarëve janë rritur gjatë tensioneve politike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”. E dyta, denoncimi publik që Klan Kosova sh.p.k është regjistruar në Kosovë me dokumente të Serbisë dhe llogaridhënia ligjore që i është kërkuar nga institucionet e vendit si pasojë, të cilin raporti e paska përshkruar si në vijim: “Klan Kosova ka qenë subjekt i ngacmimeve administrative (en. administrative harassment) nga Qeveria e Kosovës”, ka shkruar Kryeziu në Facebook.

Sipas tij, kjo renditje e sivjetme nuk duhet të dekurajojë pasi siç thotë ai ky vit nuk ka qenë i lehtë sidomos në aspektin e sigurisë.

“Pas dy viteve progres të theksuar në Indeksin e Lirisë të Mediave të RSF, renditja e sivjetme nuk duhet të na dekurajoj sepse nuk ka qenë një vit i lehtë, sidomos në aspektin e sigurisë marrë parasysh ngjarjet në veri. Përkundrazi, përballë një rreziku global të cenimit të lirisë së shtypit, besueshmërisë dhe pavarësisë së saj, është koha e duhur për të rikujtuar dhe ushtruar rolin që secili ka në mbrojtjen dhe fuqizimin e mediave të pavarura dhe profesionale, si një prej shtyllave kryesore të shoqërive demokratike”.

Ai ka theksuar se veriu ka qenë sfidues si për policinë ashtu edhe për gazetarët sa i përket raportimit.

“Në veri Polica e ka bërë të mirën e mundshme që të ofrojë siguri për të gjithë. Veriu i rrezikshëm ka qenë edhe për vetë Policinë e Kosovës. Një vit pas, atje ka më shumë siguri për raportim të mediave nga terreni se që ka pasur në të kaluarën. Ky nuk është sukses vetëm i institucioneve të sigurisë, por edhe i gazetarëve e gazetareve dhe mediave që përmes raportimeve të tyre të guximshme e shpalosën të vërtetën e ngjarjeve të majit dhe qershorit – duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në mbrojtjen e kushtetutshmërisë”.

Ndërkaq sa i përket çështjes së Klan Kosovës, ai ka thënë se aty është evidentuar një shkelje ligjore pasi sipas tij pas denoncimit publik, “Klan Kosova sh.p.k ka përmirësuar të dhënat në regjistrim, duke pranuar kështu që faktikisht ka pasur shkelje gjatë regjistrimit fillestar, ndryshe nuk kishte pse t’i përmirësonte”.