Rrjeti i Grave Gazetare në Kosovë ka publikuar raportin “Pozita dhe Siguria e Grave Gazetare në Kosovë”. Në këtë raport theksohet se një nga sfidat më shqetësuese me të cilat përballen gratë gazetare është çështja e ngacmimit seksual në vendin e punës.
Pjesëmarrëset në anketim thuhet se kanë ndarë storje ngacmimesh verbale, komente të papërshtatshme dhe në disa raste sjellje të hapura armiqësore, nga kolegë ose mbikëqyrës burra.
“Përvojat varionin nga komentet e rastësishme nënçmuese deri në raste më të hapura të diskriminimit, ku gratë ndiheshin të pasigurta. Megjithatë, edhe kur u raportuan rastet e ngacmimeve, reagimi nga organizatat mediatike ishte shpesh i ngadaltë ose joefektiv. Shumë gra shprehën frikën nga hakmarrja, duke përfshirë pasojat profesionale të tilla si humbja e punës ose reputacioni i dëmtuar, gjë që i dekurajonte ato të bënin ankesa ose të flisnin për përvojat e tyre”, thuhet në raport.
Aty theksohet mungesa e mekanizmave të qartë për raportim dhe trajtim të këtyre rasteve.
“Kjo kulturë e përhapur e ngacmimit seksual është e dëmshme jo vetëm për shkak të shqetësimit ose traumës së menjëhershme që shkakton, por edhe sepse krijon një mjedis pune armiqësor ku gratë ndihen të margjinalizuara dhe të pambështetura. Mungesa e mekanizmave të qarta për raportim dhe trajtimin e rasteve të ngacmimit vetëm sa e përkeqëson situatën, duke normalizuar sjelljet toksike dhe duke dekurajuar viktimat që të flasin. Për ta adresuar këtë formë të dhunës, është e nevojshme të krijohen politika të qarta kundër ngacmimit seksual brenda vendeve të punës, trajnime mbi barazinë gjinore për punonjësit e mediave si dhe mekanizma të sigurt për raportim dhe mbështetje për viktimat”, theksohet tutje në raport.