Sporti

Raporti mjekësor për Arbin Zejnullain, fatmirësisht pa pasoja serioze

11/07/2025 20:40
nga:Mergim Rreci

Lajme të mira nga kampi i Shkëndijës pas shqetësimit të krijuar mbrëmë në ndeshjen ndaj Jagiellonias (1:1) në kuadër të xhiros së tretë të UEFA Conference League.

Në minutën e 40-të të takimit, Arbin Zejnullai pësoi një goditje të fortë në fytyrë, pas së cilës humbi për disa momente vetëdijen. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të ekipit mjekësor, situata u vu menjëherë nën kontroll, ndërsa lojtari u largua nga loja për arsye sigurie.

Sipas njoftimit zyrtar të klubit, sot Zejnullai iu nënshtrua një radiografie, e cila nuk evidentoi asnjë dëmtim serioz. Stafi mjekësor ka ndjekur të gjitha protokollet e nevojshme për lëndime të këtij karakteri, dhe lojtari pritet të pushojë për 2-3 ditë, për t’u rikthyer më pas në stërvitje me skuadrën.