Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku, ka bërë të ditur se gjatë kësaj jave pritet të mbahet një seancë e jashtëzakonshme parlamentare, ku do të shqyrtohen gjetjet dhe rekomandimet e Raportit të Progresit të Bashkimit Evropian për Kosovën.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, Lushaku ka thënë se në takimin me përfaqësuesit e grupeve parlamentare janë diskutuar edhe çështje të tjera me rëndësi, veçanërisht situata në shëndetësi dhe sektori i energjisë.
Ajo ka vlerësuar se gjendja në shëndetësi kërkon trajtim të menjëhershëm, në mënyrë që qytetarët të kenë qasje në shërbimet shëndetësore dhe barnat esenciale.
Ndërkaq, për sektorin e energjisë, Lushaku ka njoftuar për një mocion që synon hapjen e debatit parlamentar dhe kërkimin e llogaridhënies për blerjen dhe menaxhimin e energjisë.
Raportin e fundit të Progresit të BE-së ajo e ka cilësuar si alarmant, duke thënë se evidenton probleme dhe ngecje në disa fusha të qeverisjes.
“Për këtë procedurë formale do t’i bëjmë sot nënshkrimet; kemi mbledhur nënshkrime nga të gjitha partitë politike dhe në këtë mënyrë po luajmë rolin tonë si opozitë për të kërkuar llogaridhënie për reformat që ka konstatuar edhe Raporti i Bashkimit Evropian, të cilat nuk janë fare në fokus dhe faktikisht kjo po e stagnon Kosovën në rrugëtimin e saj evropian”, ka thënë ajo.


