Lajme

Raporti i DASH-it/ PDK kritika për korrupsion dhe mos transparencë të Qeverisë

03/21/2023 15:04
nga:G B

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit për të Drejta të Njeriut, ka theksuar se në Kosovë ka korrupsion serioz qeveritar dhe mungesë të hetimeve dhe përgjegjësisë për dhunën me bazë gjinore.

Këto janë cekur si problemet më serioze në vend sipas këtij raporti.

Në këtë raport për vitin 2022 përmendet që ligji parasheh ndëshkime penale për zyrtarët e përfshirë në korrupsion, por që Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në tërësi.

“Kanë qenë disa raste të raportimit të korrupsionit në nivel qeveritar. Zyrtarët ndonjëherë janë përfshirë në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Mungesa e mbikëqyrjes efektive gjyqësore dhe brishtësia për zbatim të ligjit ka rezultuar me këtë problem”, thuhet në raport.

Lidhur me këtë, deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se ai dhe partia të cilës i takon e kanë ngritur prej kohësh shqetësimin për korrupsion dhe mos transparencë të Qeverisë dhe raporti i DASH-it i vërteton këto.

“Unë si deputet por edhe PDK ka kohe që jemi duke e ngrit shqetësimin për korrupsion dhe mos transparencë të kësaj qeverie. Raporti i DASH për korrupsionin dhe mungesën e transparencës në Qeveri së Kosovës vërteton pretendimet e mia. Në ketë rast kjo qeveri edhe pse unë si deputet edhe ne si parti, kemi ngritur çështjet e korrupsionit, mos transparencës dhe nepotizmit nuk është ndërmarrë asgjë”, thotë ai.

Deputeti përmend rastin e ambasadorit Martin Berishaj dhe shumë raste të tjera në sfera të ndryshme.

“Nuk e kemi vetëm rastin e aferës korruptive në diplomaci me ambasadorit Martin Berisha, por kemi plot raste te tjera si, Raportin e Auditorit për QKUK, abuzimet dhe keqpërdorimet me masat anti-Covid 19, abuzimet e keqpërdorimet në sektorin e energjisë, mos transparenca me fondin e sigurisë, mos transparenca me mjetet e mbartura nga suficiti si rezultat i mos punës së qeverisë, keqpërdorimi i mjeteve financuare në emër të subvencioneve e transfereve, emërimet nepotike, ndërhyrjet e politikës për amnistimin e rasteve korruptive të pushtetarëve të LVV së, si fshehja e aferave korruptive të ish kryetarit të Mitrovicës, të komunës se Prizrenit e të Prishtinës kur LVV, ishte në pushtet. E, rasti me i keq është ngritja e aferës “Sekseri” për rastin e spitalit Amerikan duke etiketuar pozitën e atëhershme me qellim të fshehjes së krimit të organizuar të bërë nga oligarkë mbështetës të LVV-së. Këtu duhet të shihet se ku ka qenë roli i ministres Albulena Haxhiu, atëherë dhe tash si ministre, që atë krim që është bërë me tjetërsim të pronës publike nuk po ia kthen komunës se Prishtinës e QKUK-së, çka po fsheh këtu kur dihet se në atë projekt ka investuar mbështetësi kryesor i LVV, duhet me pyet si e ngriti rastin “sekseri” për të mashtruar opinionin publik për ta fshehur rastin më të madh korruptiv të keqpërdorimit të pronës publike”, vlerëson ai.

Sa i përket mos transparencës, deputeti thotë për Gazeta Blic se akti i de funksionalizimit të Kushtetutës është akt kundër kombit dhe se aktet e tradhtive janë akte në bashkëpunim me armikun dhe në fshehtësi nga kombi.

“Sa për mos transparencën e qeverisë mund t’iu me them vetëm se: akti i de funksionalizimit të kushtetutës së shtetit, çdoherë, është akt në shërbim të hegjemonive dhe kundër kombit që e ka themeluar atë shtet, dhe që është pajtuar që ai shtet të qeveriset nga ajo kushtetutë. Pra aktet e tradhtive janë akte në bashkëpunim me armikun dhe në fshehtësi të plotë me kombin. Të gjitha historitë e tradhtive kudo kanë ndodhur në histori e kanë këtë ecuri (veprimin në fshehtësi)”, deklaron deputeti Hisen Berisha.

Ndërsa, analisti politik Gazmir Raci, thotë për Gazeta Blic se kritikat më të mëdha janë për sistemin e drejtësisë që ende nuk po mund t’i adresojë pjesën më të madhe të rasteve.

“Kritikat kryesore edhe në këtë vit për Kosovën në masë të madhe janë për sistemin tonë të drejtësisë që ende nuk po mund t’i adresojë një pjesë të madhe të rasteve”, thotë ai.

Raci shpreson që me reformën në drejtësi dhe vettingun, t’i hapet rrugë performancës më të mirë të këtij sektori.

“Prandaj, reforma në drejtësi dhe vettingu shpresoj se do të hapin rrugë që ky sektor të performojë më mirë në të ardhmen. Ofrimi i drejtësisë në kohë reale dhe drejtësi të barabartë janë po ashtu kushte edhe për rend e ligj dhe zhvillim socio-ekonomik në Republikën e Kosovës”, deklaron Gazmir Raci.

Ndërsa, kryeministri Albin Kurti, megjithëse raporti vlerëson ndryshe, ka thënë se Kosova ka shënuar progres në luftën kundër korruspionit./Gazeta Blic/

Deputeti i VV-së: Vetëmenaxhimi i njëjtë me Asociacionin- Qeveria do të dënohet nga votat e qytetarëve