Lajme

Raportet SHBA – Kosovë, Deda: Skandaloze dhe me pasoja veprimet e Qeverisë Kurti

06/09/2023 13:06
nga:N M

Ilir Deda ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, e me fokus të veçantë ‘prishjet’ e raporteve të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, raporton Gazeta Blic.

Ai, ka përmendur disa raste kur Kosova ka kundërshtuar fuqishëm disa ide e projekte, siç ishte zhbërja e Gjykatës Speciale dhe ideja për ndarjen e Kosovës.

Por, Deda ka thënë se kjo çfarë po ndodh kohëve të fundit në raport me SHBA, është skandaloze dhe me pasoja afatgjata.

Reagimi i plotë:

Në këtë përplasjen “për” e “kundër”, po harrohet që është hera e fundit që në establishmentin e Shteteve të Bashkuara janë njerëzit që e dijnë jashtëzakonisht mirë kontekstin e shkatërrimit të ish Jugosllavisë, duke qenë direkt të përfshirë në të gjitha proceset e vendosjes së paqes.

Brezat e ardhshëm – demokratë apo republikan – nuk do të kenë fare ndjesi për kontekstin e luftërave në ish-Jugosllavi.

Kosova, me të drejtë, kundërshtoi projektin e ndarjes se vet, që përkrahej nga administrata republikane.

Kosova, me të drejtë, kundërshtoi prishjen me të gjithë aleatët perëndimor gjatë tentimit të zhbërjes së Gjykatës Speciale.

Por tash, Kosova – pa të drejtë – është në konfrontim skandaloz, shkurtpamës dhe jashtëzakonisht të dëmshëm e me pasoja afatgjata, me garantuesit e sigurisë dhe shtetësisë së vet, pa të cilët nuk do të krijohej shteti i Kosovës.