Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Ramush Haradinaj, thotë se raportet me Amerikën janë lënduar dhe veç ka pasoja.
Kështu u shpreh ai në një prononcim për Gazeta Blic, derisa vlerëson se Qeveria nuk duhet ta përkeqësojë marrëdhënien e sigurisë me Amerikën.
“Ashtu siç kanë deklaruar edhe zyrtarët e lartë amerikanë, raportet janë të lënduara. Duhet bërë kujdes që mos të prekë në çështjet e sigurisë. Marrëdhëniet politike, kryesisht vendimmarrësit politikëbërësit, apelojmë që të mos përkeqësohet marrëdhënia jonë e sigurisë me Amerikën. Veç ka pasoja”, thekson Haradinaj.
Ai për Gazeta Blic potencon se për të përmirësuar raportet me SHBA-të, Qeveria duhet t’ia kërkojë asaj një listë me punët që duhet t’i kryejë për të qenë pjesë e NATO-s dhe t’i bëjë ato.
“Qeveria duhet t’i kërkojë një listë amerikanëve, të punëve që duhet t’i kryejë Kosova për të hyrë në NATO dhe të fillojë t’i kryejë ato sa më shpejt”, deklaron lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Deklaratat vijnë pasi zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë se cilësia e raporteve Kosovë-SHBA nuk është e njëjtë, pas vendimit për dinarin./Gazeta Blic/


