Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur për mos pritjen në takim nga kryeministri Albin Kurti, të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Kosovë.
Ajo vlerëson se raporti mes Kosovës e Shqipërisë janë më të thella dhe më të forta se sa raportet mes dy kryeministrave.
“Unë mendoj që raportet mes Kosovës e Shqipërisë janë shumë më të thella, më të mëdha, sesa mes dy kryeministrave apo mes dy qeverive. Mjafton të shkoni në Vlorë, në Durrës, në Shëngjin dhe aty e shihni se sa e madhe është prezenca e Kosovës në Shqipëri, ngjashëm edhe Shqipëria në Kosovë. Raporti me Shqipërinë nuk është i zakonshëm, Shqipëria nuk është vetëm edhe një shtet fqinj i Kosovës. Raporti me të është i jashtëzakonshëm, i thellë, shpirtëror dhe politika në vend se të ecë në hap me sentimentin qytetar dhe popullo, fatkeqësisht po vendos barriera”, thotë ajo.
Sipas Çitakut, Kurti ka arritur t’i rrënojë raportet e Kosovës me SHBA-të e BE-në dhe shtetet fqinje ku ka shqiptarë.
“Thënë të drejtën, kryeministri Kurti ka arritur t’i rrënojë raportet e Kosovës jo vetëm me SHBA-të dhe BE-në, por kemi parë ndërhyrje flagrante të tij në politikën e brendshme bë Shqipëri. Ju rikujtoj se Kurti ka garuar me një listë në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Njëjtë kemi parë një ndërhyrje brutale edhe në Maqedoninë e Veriut, edhe në Preshevë, pa e vetmja mjeshtri e kryeministrit Kurti është përçarja e shqiptarëve, në rajon dhe më gjerë”, vlerëson ajo për Gazeta Blic.
Çitaku shton se çdo lloj mosmarrëveshje mes të dy kryeministrave është më e vogël se marrëdhënia mes dy shteteve.
“Unë besoj se çfarëdo lloj keqkuptimi, mosmarrëveshje mes dy kryeministrave është shumë më e vogël se çdo sesa thellësia e raporteve mes popullit shqiptar në Kosovë dhe Shqipëri. Është normale që me kryeministrin Rama nga 100 tema të mos pajtohemi me 1. Mirëpo unë kam qenë dëshmitare e shumë rasteve kur kryeministri Rama e ka mbrojtur Kosovën, e ka mbrojtur luftën e UÇK-së me shumë argumente dhe shpeshherë me shumë elokuencë, ndoshta se sa ne”, deklaron Vlora Çitaku.
“Kjo nuk është hera e parë që Rama vjen në Kosovë dhe nuk pritet në takim nga kryeministri Kurti, për arsye dhe motive të ndryshme. Por ne të tjerët nuk duhet t’i fryjmë zjarrit tashmë të ndezur. Unë prapë besoj se raportet mes Kosovës e Shqipërisë janë shumë më të mëdha, sesa dy qeveri që në fund të fundit janë të përkohshme. Kosova dhe Shqipëria janë të përhershme, qeveritë shkojnë e vijnë, kryeministrat shkojnë e vijnë por po e përsëris, kryeministri Kurti ka acaruar raportet me të gjithë, jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, në Preshevë, në Mal të Zi, është munduar kudo të ndërhyjë jo për të bashkuar por për t’i përçarë ata”, deklaron ajo.
/Gazeta Blic/