Lajme

Ramush Haradinaj takohet me Riho Terras: Rruga për në Evropë kalon përmes anëtarësimit në NATO

12/09/2024 18:07
nga:Genita C

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një takim me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, për situatën aktuale të Kosovës në procesin e integrimit evropian, raporton GazetaBlic.

Ata u përqendruan në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO përmes Planit Aksional.

Haradinaj theksoi se rruga e Kosovës për në Evropë kalon përmes anëtarësimit në NATO dhe falënderoi Terras për mbështetje të vazhdueshme.

E plotë:

Me raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, z. Riho Terras, diskutuam për situatën aktuale të Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke u përqendruar veçanërisht në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

Si vend e shoqëri jemi përcaktuar drejt integrimit euroatlantik, e rruga më e sigurt për realizimin e këtij integrimi është anëtarësimi direkt në NATO përmes Planit Aksional.

Gjenerali Terras, me përvojën e jashtëzakonshme ushtarake dhe diplomatike, e kupton më mirë se kushdo tjetër rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe nevojën për partneritet të fortë me Bashkimin Evropian, për çka dhe i jemi falënderues për mbështetjen e vazhdueshme.

Rruga për në Evropë kalon kah NATO.