Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, është takuar sot në Departamentin e Shtetit nga emisari amerikan Gabriel Escobar, Ndihmës Asistent i Sekretarit të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Evroazisë.
Ai ka publikuar në Facebook fotografinë me të dhe ka njoftuar se me Escobar ka folur dhe për dialogun me Serbinë, ku i ka thënë se duhet rol aktiv i SHBA-ve për marrëveshje finale, që duhet të përmbyllet me njohje reciproke.
Por, duket se kjo nuk i ka pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët kanë reaguar pas këtij takimi, shkruan Gazeta Blic.
Deputeti Adnan Rrustemi ka publikuar postimin e Haradinajt, derisa ka thënë se Haradinaj kërkon njohjen në fund dhe jo në qendër të marrëveshjes, sipas tij siç ka kërkuar Kurti dhe Amerika.
“Amerika: Njohja reciproke në qendër të marrëveshjes.
Albin Kurti: Njohja reciproke në qendër të marrëveshjes.
Haradinaj: Jo në qendër, por në fund.
Ja si kanë negociuar deri tani”, ka shkruar ai.

Foton e ka shpërndarë edhe zëdhënësi i VV-së, Arlind Manxhuka, derisa e ka quajtur skandaloze.
“Skandaloze se me çfarë mendësie është negociuar deri tash nga këta”, ka shkruar ai.
Në anën tjetër, kryeministri Kurti po qëndron për vizitë në SHBA, mirëpo që deri më tani nuk ka pasur asnjë takim të nivelit të lartë apo në Departamentin e Shtetit./Gazeta Blic/



