Në përkujtim të Betejës së Çabratit, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar kontributin e Gjakovës në luftën për liri, duke e cilësuar qytetin si vatër të atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, raporton GazetaBlic.
Ai ka nderuar heroizmin e Brigadës 137 “Gjakova” dhe luftëtarët që ranë në luftë, duke theksuar sakrificën e popullit shqiptar për liri dhe krenarinë për bashkëluftëtarët gjakovarë.
Postimi i plotë:
Gjakova, vatër e atdhedashurisë dhe shqiptarisë ndër breza, i fali shumë lirisë së Atdheut. Në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, anembanë vendit, Gjakova dha luftëtarë të mëdhenj. Djemtë e vashat e Gjakovës ishin shembulli më i mirë i luftëtarëve të lirisë që nga mobilizimi e deri te dita e fitores.
Gjatë luftës për liri, në këtë trevë u shkatërruan shumë ekonomi familjare e shumë vëllezër e motra tona pësuan nga dora e agresorit, por shpirti liridashës e atdhetar i Gjakovës nuk u shua asnjëherë.
Sot në kujtim të Betejës së Çabratit, nderojmë heroizmin e Brigadës 137 “Gjakova” dhe trimat që ranë.
Përgjithmonë krenarë që kisha në krah bashkëluftëtarë si heronjtë gjakovarë. Përgjithmonë krenarë me heroizmin dhe mirënjohës për sakrificën e popullit tonë
për liri.


