Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për humbjet e mëdha të shkaktuara në katër vitet e fundit, përfshirë humbjen e mundësive për marrëveshje me Serbinë, anëtarësim në NATO dhe Këshillin e Evropës, si dhe investime të mëdha energjetike, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se vendi ka humbur besimin e qytetarëve dhe ka pasur një largim masiv të tyre.
Haradinaj apeloi për një ndryshim të thellë, duke thënë se është koha për ta shndërruar Kosovën në një fituese, me fokus në anëtarësimin në NATO, zhvillim dhe forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ai nënvizoi se Kosova nuk mund të duronte më humbje dhe që çdo individ duhet të kontribuonte për një të ardhme më të mirë.
E plotë:
Të mëdha dhe disa mbase të pariparueshme janë humbjet e Kosovës në katër vitet e fundit. Orientimi strategjik krejtësisht i gabuar i Kurtit dhe Qeverisë bëri që:
– Kosova të humbë kërkesën e vendeve aleate për marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë dhe njohje reciproke
– Kosova humbi të gjitha shanset për përafrim dhe anëtarësim në NATO
– Kosova humbi shansin që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës
– Kosova humbi Contour Global dhe investimin prej 1.5 miliardë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe e humbi edhe rastin gjyqësor
-Kosova e humbi projektin e gazit Amerikan, një shansë për siguri energjetike afatgjate nga miqtë më të mëdhenj që ka Kosova
– Qeveria e Kosovës humbi besimin e 200 mijë qytetarëve të vet të cilët braktisën Kosovën për jetë më të mirë
– Kosova, për fitore optike dhe tepër afatshkurtra në komunat veriore, humbi besimin dhe përkrahjen e vendeve aleate dhe e cenoj gjithë projektin e përbashkët të Kosovës me aleatët
E gjatë është lista e humbjeve dhe frika se vazhdimi i kësaj qeverisjeje do t’i rrisë dhe rëndojë humbjet e Kosovës.
Me 9 shkurt duhet të ndalet trendi i humbjeve. Ka ardhur koha për ta shndërruar Kosovën në fituese. Ne të gjithë e kemi për obligim të punojmë për një Kosovë fituese:
– Për një Kosovë fituese në aspiratat për anëtarësim direkt në NATO
– Për një Kosovë fituese në zhvillim
– Për një Kosovë fituese në lobim për njohje dhe respekt ndërkombëtar
– Për një Kosovë fituese në dialog dhe në marrëdhënie ndërkombëtare
– Për një Kosovë fituese nga burimet e saj njerëzore dhe natyrore
Kosova nuk duron më humbje. Kosova nuk duron qeveri që humbjet i mbulon me demagogji dhe propagandë. Kosova nuk duron mashtrues që humbjet i quan fitore. Ne duam t’u kthehemi fitoreve. Fitoreve tona, qoftë si individë, qoftë si shoqëri. Për një Kosovë fituese e kemi obligim të gjithë të angazhohemi e punojmë.