Shkruan: Ramiz Lladrovci
Shefqet Zeka është hero i Kosovës. Shefqet Zeka, është hero i cili krah heroit Fehmi Lladrovci dhe heroinave Xhevë Lladrovci e Fatime Hetemi dhe dëshmorëve tjerë e dha jetën për çlirimin e Kosovës.
Ky hero, ishte nga lagja “Kodra e Trimave”, në Prishtinë. Si banor i Gllanasellës, për mua, Shefqeti, do të duhej të ishte jo vetëm hero, por edhe “qytetar”. Ky përcaktim, do të ishte përcaktim për vendin e lindjes. Ky “qytetar”, erdhi të vdiste në fshat, me Fehën, Xhevën, Fatimen e heronjtë tjerë.
Për poenë politik, partitë as individët nuk duhet të nxisin përçarjen fshat-qytet, duke i ndarë shtetasit e Kosovës sipas vendlindjes e jo sipas kulturës e atdhedashurisë që disponojnë.
Ndryshe, çfarë duhet t’i thuhet më shumë se hero, të riut Shefqet Zeka që erdhi nga Prishtina të vdiste në Gllanasellë.
Atdhetarët kanë gjeografi më të gjerë se vendlindja. Atdheu është vendlindja e tyre. Atdhetari është i edukuar familjarisht dhe i arsimuar, i pajisur me kulturë, atdhedashuri e nderim për bashkëpatriotët e tij, pavarësisht vendlindjes, përtej vendlindjes. Këtë e dëshmoi UÇK-ja.
Kam pasur fatin të jem afër heronjve që ia ndryshuan kahjen akrepave të orës së historisë. Isha afër atyre që kishin guximin ta sfidonin robërinë me jetën e tyre dhe të familjeve të veta. Ata nuk ishin egoistë e të shtynin të tjerët të vdisnin për ta. Ata i prinin kolonave të heronjve, duke sfiduar vdekjen, deri në vetëmohim.
Strategët e luftës tonë çlirimtare e deshtën dhe synuan çlirimin me sa më pak viktima. Asnjëri nga ata heronj legjendarë, nuk e mendonte masakrën masive që mund të ndodhte ndaj qytetarëve duarthatë në qytete. Asnjëri nga ata që i kam njohur dhe janë legjenda të luftës çlirimtare, nuk ka nxitur njësite të shkaktojnë provokime për kasaphane në qytete.
Rekomandimi për UÇK-në nga komandantët legjendarë që i kam njohur, vazhdimisht ka qenë që njësitet duhet të rrinë larg popullsisë civile, larg vendeve ku ushtria serbe mund të shkaktonte vrasje masive.
Heronjtë tanë, e kanë dashur popullin e vet. Nuk e kanë quajtur frikacak asnjë qytetar shqiptar, edhe kur nuk iu ka bashkuar luftës çlirimtare, sepse, edhe ata e kanë ditur se jo çdonjëri është i lindur për luftë, por çdonjërin e shihnin e vlerësonin si shqiptar.
Kjo qasje pozitive bëri që edhe heroi Shefqet Zeka, të vinte nga “Kodra e Trimave”, një “sheherli” i cili dha jetën heroikisht pranë Fehës, Xhevës, Fatimes nga Bistrica e Shalës së Bajgores, komuna e Leposaviqit dhe dëshmorëve tjerë dhe sot prehet në paqe krah bashkëluftëtarëve në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë.
Më kujtohet brenga e Fehës kur është ndezur fronti në Bardh të Madh, sepse ishte lokalitet me shumë banorë dhe kanosej rreziku nga masakra serbe. Ai ka qenë shumë i mërzitur kur është bllokuar Bardhi i Madh, për rrezikimin e banorëve dhe mbylljen e shtegut i cili shërbente si aorta e furnizimit me ushqime dhe barna të zonës së komandës së tij si dhe lëvizjen e qytetarëve të pambrojtur e të rrezikuar nga zjarri i luftës. Ai e shihte ndryshe taktikën dhe vijën e luftimeve.
Prandaj, ata që thonë se “qytetarët” nuk luftuan por vetëm “katunarët”, bëjnë gabim të rëndë. Mungesa e platformës, ideve dhe dështimit në subjektin politik, nxit individët të keqpërdorin idetë e ndarjes në taborre, fshat-qytet dhe pyetjen e mbrapshtë, “kush luftoi e kush jo”.
Me të drejtë thuhet se vota që vije nga përçarja është votë turpi.