Lajme

Ramiz Lladrovci: Në vend të urimit, asgjë e re nga evropianët, si çdo herë të vonuar!

04/18/2023 18:18
nga:Ramiz Lladrovci

Sot, u bë hapi final në Parlamentin Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën. Tashmë e paskemi merituar liberalizimin e jo më herët, të sapo dalë nga lufta, me mbi 400 varreza masive, me mbi 16 mijë të vrarë nga okupatori serb, as kur Kosova më 2015 i plotësoi të gjitha 94 kushtet për liberalizim.

Sot, në Parlamentin Evropian u fol siç do të duhej të flitej kur ua liberalizoi vizat shteteve fqinje. Foli me vonesë, kur shpresa për shumë të rinj tanë, është venitur dhe nuk e shohin më Kosovën si vend atraktiv për të ardhmen e vet.

Liberalizimi i vizave e shtrydhi Kosovën si asnjë proces tjetër në historinë tonë të re. Arsyet e marrjes së këtij vendimi, duhet të kenë qenë të mëdha, por, nuk dua të besoj se ishin zhvillimet dhe koncesionet e fundit.

Vendim i vonuar, pak para dymbëdhjetëve, për shtetasit e Kosovës të ekspozuar ndaj sulmeve të ndryshme nga ish okupatori, nga lindja tradicionale e etur për pushtimin e hapësirave të reja, krimit të jakave të bardha nga perëndimi dhe vlerave të panjohura më parë për qytetarët e Kosovës..

Kosova sot mbetet e rrezikuar nga kjo vonesë evropiane, e ndikuar nga gjeostrategjia e përfitimeve ekonomike, pa marrë në konsideratë identitetin e shqiptarëve, vuajtjet dhe përkushtimin e orientimit të qartë në mes të lindjes e perëndimit.

Bota sllave i lakmon edhe më tej trojet tona dhe detin e ngrohtë, me satelitët e tyre energjetikë, sigurisht, në vend të parë janë ata evropianë! Asgjë e re nga evropianët, si çdo herë të vonuar!