Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, njihet si një ndër personazhet politike më “atraktive” të mediave, pasi që jo rrallë herë deklaratat e tij në formë humori kanë nxitur reagime ndaj tij.
Por, në anën tjetër Lladrovci njihet si një ndër kryetarët e komunave i cili ka realizuar shumicën e premtimeve të cilat i ka dhënë gjatë fushatës.
Në këtë intervistë, kreu i Drenasit ka folur për kujtimet e tij gjatë vitit 2021, hobin dhe frikën e tij, a do ta mundte kryeministrin Albin Kurti nëse ai do të garonte për të parin e Drenasit, ndërsa ka kujtuar edhe ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Intervista e plotë me kryetarin e Drenasit, Ramiz Lladrovci:
Pyetje: Kujtimi më i mirë dhe më i keq gjatë vitit 2021?
Ramiz Lladrovci: Kujtimi më i mirë është lindja e nipit tim, Lekës, ndërsa kujtimi më i hidhur është kur lexoja mesazhet nga numrat e telefonave të profiterëve të PDK-së kundër meje në fushatën e fundit zgjedhore.
Pyetje: Cili është hobi juaj dhe a frikësohet nga “dikush” Ramiz Lladrovci?
Ramiz Lladrovci: Futbolli, përcjellja e ndeshjeve të futbollit është prioritet i kohës time të lirë, ndërsa frikë nuk kam, nga frika jam operuar në rininë time të hershme.
Pyetje: Cili është këngëtari/ja juaj i preferuar?
Ramiz Lladrovci: Leonora Jakupi është këngëtarja ime e preferuar.
Pyetje: A mendoni se do ta mundnit Albin Kurtin nëse do të kandidonte për kryetar të Drenasit?
Ramiz Lladrovci: Albinin e kisha sos nëse do të ishte kandidat në Drenas, jo veç me vota por edhe me duele në debate televizive.
Pyetje: A ka bërë ndonjë shaka Hashim Thaçi (sa është në Hagë) gjatë kohës që keni biseduar me të në telefon? Cila është ajo?
Ramiz Lladrovci: Ato që m’i ka thënë, i kam publikuar, megjithëse bisedat ishin tejet emocionale, atmosfera e bisedës sipas meje përshkruhet si e papranueshme për padrejtësinë që i bëhet atij dhe shokëve tjerë që gjenden në Hagë, por, gjithsesi, i kam thënë se “nuk ka bijë as bir nane që ty të mund, ki me dalë fitimtar si çdo herë”.
Pyetje: Nëse nuk do të merreshit me politikë, çfarë profesioni do të kishit?
Ramiz Lladrovci: Në rininë e hershme kam dashur të jem pilot, por rrjedhat e jetës më dërguan tjetër kah, disiplina është ana ime e fortë. Sigurisht profesion me uniformë dhe përgjegjësi, në shërbim të të tjerëve.
Pyetje: Çfarë keni menduar kur është zyrtarizuar lidhja e reperit “Don Xhon” me një shtetase ruse?
Ramiz Lladrovci: Miku im Don Xhoni është personalitet i fuqishëm, talent i jashtëzakonshëm nga Drenasi, atdhetar i paepur, me guxim dhe me shije, djalë që na bën krenar të gjithëve. Sa e di, manekinia është shtetase ruse por me origjinë koreane. Ajo as e bën më të mirë, as më të keq kur dihet se Don Xhoni është artist me intuitë të shkëlqyer dhe i pathyeshëm.
Pyetje: A mendoni se jeni person temperament apo i qetë?
Ramiz Lladrovci: Varësisht nga situata, kur kërkohet përgjegjësi, jam me temperament sepse nuk e duroj vonesën, jo kompetencën dhe demagogjinë. Dua punë, ndryshe, jam miqësor dhe mik për mikun dhe secilin deri sa nuk ma dredh.
Pyetje: Nëse do ta përshkruanit me një fjalë Kadri Veselin, cila do të ishte ajo?
Ramiz Lladrovci: Vizionar i pathyeshëm! /Lajmi.net/