Lajme

Ramadani: Sulmi i Iranit ndaj Izraelit, duhet të rris pjekurinë e lidershipit kosovar për forcimin e raporteve me aleatët

04/17/2024 21:18
nga:Y I

Sulmi i Iranit ndaj Izraelit duhet të merret si mësim për lidershipin kosovar për t’i forcuar marrëdhëniet me aleatët sipas ish-kryeinspektorit të AKI-së, Burim Ramadani.

Ai thotë për Front Online se dëmtimi i raporteve me ndërkombëtarët rrezikon sigurinë e vendit.

“Është krejtësisht e qartë se ky moment duhet të rris përgjegjësinë dhe pjekurinë e lidershipit të Kosovës për domosdoshmërinë e forcimit dhe jo dëmtimit të raporteve me aleatët.Forcimi i raporteve me aleatët është interes i sigurisë kombëtare. Kushdo që për çfarëdo motivi dëmton raportet me aleatët është duke rrezikuar sigurinë kombëtare të Kosovës”, ka deklaruar Ramadani.

Ramadani ka përmendur dy aspekte ku sipas tij, Ballkani Perëndimor në aspektin e sigurisë nuk është përmbyllur ende.

“Ballkani Perëndimor nuk është përmbyllur edhe më tutje në kuptim të sigurisë, duke u bazuar në dy aspekte: Së pari, shtrirja e NATO-s në komplet Ballkanin Perëndimor duhet të përfundojë me anëtarësimin e Kosovës, së dyti, proxy i Rusisë – Serbia – vazhdon të kërcënojë sigurinë dhe stabilitetin ballkanik”, vlerëson Ramadani.

Të dielën, me ftesë të kryeministrit Albin Kurti u mblodh Këshilli i Sigurisë së Kosovës.

Temë qendrore ishte sulmi i Iranit ndaj shtetit të Izraelit dhe implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e kishte dënuar menjëherë sulmin e Iranit ndaj Izraelit, duke e cilësuar atë si akt të paprecedent që paraqet rrezik për destabilizimin e Lindjes së Mesme dhe të eskalimit të mëtutjeshëm të situatës së sigurisë”, thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit.