Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka bërë një thirrje qëtë mos mirëpritet sot në takimin e dy qeverive Kosovë-Maqedoni e Veriut, zëvendëskryeministri maqedonas, Ivan Stoilkoviqi.
Ramadani ka theksuar se ai ka një agjendë të hapur kundër-shqiptare dhe kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Ramadani e akuzoi Stoilkoviqin, për lidhje të ngushta me regjimin serb, duke theksuar se “ai vazhdimisht viziton Moskën dhe në krah të Vulinit e Dodikut, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Rusi, më 25 maj 2023.”
Ramadani e kritikon Stoilkoviqin për deklaratat e tij në lidhje me politikën e jashtme të Maqedonisë së Veriut, ku ai e shpalli Serbinë si aleatin kryesor të këtij shteti.
“Ai që në ditën e parë të detyrës në Qeverinë në Shkup e ka shpallur Serbinë si aleatin kryesor të Maqedonisë së Veriut,” shkruan Ramadani.
Për më tepër, Ramadani përmendi se gjatë procesit të lustrimit në Maqedoninë e Veriut, u dëshmua se Stoilkoviq ishte një “punëtor i Shërbimit Sekret të Serbisë.”
Ai e përfundoi mesazhin e tij duke thënë, “Stoilkoviq nuk duhet të jetë i mirëpritur në mbledhje me Qeverinë e Kosovës. Është njëjtë sikur të jetë aty Aleksandar Vulini!”.