Lajme

Ramadani: Halli i Kurtit nuk është Kuvendi por Qeveria për të cilën i ka veç 56 vota!

07/24/2025 19:38
nga:Y I

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Burim Ramadani, tha se nuk pritet ndonjë zhvillim pozitiv nga seanca që pritet të mbahet nesër në Kuvend.

Ramadani në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se tashmë qartësisht po dihet se tema e kësaj bllokade nuk është kryetari i Kuvendit.

Ai tha se se i njëjti në momentin që ka dëshirë e zgjedh kryekuvendarin duke kandiduar, Glauk Konjufcën, që sipas i merr të paktën 86 vota.

“Jo, fatkeqësisht për stabilitetin institucional, nuk pres ndonjë zhvillim nesër.Qartësisht, tema e kësaj bllokade nuk është Kryetari i Kuvendit. Sepse, Kurti kur të ka dëshirë e zgjedh Kryetarin e Kuvendit. Veç e propozon Glauk Konjufcën dhe i merr të paktën 86 vota për Konjufcën” tha Ramadani.

Ramadani tha se halli i Kurtit është Qeveria e që deri tani i ka vetëm 56 vota.

“Halli i Kurtit është Qeveria. Për Qeverinë Kurti 3 deri më tash i ka vetëm 56 vota momentalisht” tha Ramadani në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese kishte vendosur një afat 30-ditor për konstituimin e Kuvendit.

Nesër pritet të mbahet seanca e fundit, e 52-të brenda këtij afati kushtetues.

Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të insistojë në kandidaturën e Albulena Haxhiut, kandidaturë e cila nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme nga ish-partitë opozitare.

/Gazeta Blic/