Analisti politik, Sadri Ramabaja, vlerëson se sipas tij Menduh Thaçi nuk ka asnjë dallim nga Fatmir Sheholli i cili ditë më parë u arrestua nga Prokuroria Speciale nën dyshimin për spiunazh.
“Unë këtë (Menduh Thaçi) nuk e cilësoj as si analist as si politikan, unë këtë nuk e dalloj nga Fatmir Sheholli, prandaj as nuk dua ta komentoj. Ai ka bashkëpunuar me besim deri në vdekje me serbët”, tha Ramabaja.
Ramabaja, në Debat Plus foli edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut teksa shtoi se do të duhej të kishte një model belg të qeverisjes ku Shkupi sipas tij do të duhej të ishte kryeqendër e qeverisjes për të dy etnitë atje.
“Komunat shqiptare kanë qenë të nënvlerësuara në të gjitha qeveritë paraprake në Maqedoninë e Veriut, shqiptarët atje kontribojnë shumë njësoj edhe bizneset, por ka hapa të ndjeshëm në realizimin pragmatik të të drejtës së shqiptarëve dhe në faktorizimin e tij – nuk është në nivelin e pritshëm do të duhej të ishte shumë më shumë. Por, besoj që momenti është kritik që në një të ardhme shumë të afërt të shtrohet çështja e federalizimit të Maqedonisë së Veriut – kjo nënkupton një model belg të qeverisjes ku Shkupi do të ishte një kryeqendër e qeverisjes e të dy etnive, por në të gjitha komunat tjera do të duhej të vlente çelësi nacional që nënkupton se palët qeverisëse në kabinetet qeverisëse do të duhej të ishte blloku i partive shqiptare që t’i fiton zgjedhjet”, tha Ramabaja.


