Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar ashpër ndaj dështimit të themelimit të kompanisë komunale “Pastrimi”, duke akuzuar subjektin politik Vetëvendosje se ka sabotuar procesin.
Rama ka kritikuar asamblistët që, sipas tij, nuk e kanë mbështetur themelimin e kompanisë, duke thënë se pasojat e këtij vendimi po i bartin qytetarët e Prishtinës.
“Me votën tuaj e latë qytetin në bërllog, lagjet ku jetoni vetë, rrugët ku ecin fëmijët tuaj, familjet tuaja. Krejt qytetarët e Prishtinës i lini në bërllog”, ka deklaruar Rama.
Ai ka shprehur kritika të ashpra edhe ndaj sjelljes së asamblistëve në Kuvendin Komunal të Prishtinës, duke thënë se qytetarët që u kanë dhënë votën mund të jenë të zhgënjyer me veprimet e tyre.
“Mjerë ata qytetarë që ju kanë votuar dhe ju kanë besuar kur ju keni shitë pallavra se jeni këtu për të mirën e tyre. Besoj që secili votues i juaji sot ndihet i turpëruar kur e sheh çka bëni ju këtu, jo veç me votën tuaj, por edhe me sjelljet në Asamblenë e Kryeqytetit”, është shprehur Rama.
Kryetari i Prishtinës e ka cilësuar të pakuptimtë, sipas tij, mosmbështetjen e një vendimi që synon zgjidhjen e problemit të mbeturinave në kryeqytet.
“Mos me votu me u hek bërllogu prej dyerve tona, prej lagjeve tona, prej rrugëve ku ecin fëmijët tanë, e kalon secilin nivel të logjikës. Kjo i bjen me punu kundër vetëvetes!”, ka thënë ai.
“Seriozisht, jeni për studim!”.


