Lajme

Rama thirrje në OKB: Njihni Kosovën, Asambleja nuk është e plotë pa të

09/24/2021 23:01
nga:M K

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së i ka bërë thirrje shteteve të njohin Kosovën.

Rama tha se Asambleja nuk është e plotë pa Kosovën.

Kryeministri Edi Rama ka folur përballë Asamblesë së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku ka evidentuar disa nga prioritetet e qeverisë shqiptare, nga ato mjedisore tek dialogu rajonal dhe çështjen e Kosovës.

Duke prezantuar iniciativën e Open Balkans, e cilësuar si një “shenjë e zotërimit që kemi për të ulur konfliktet” në rajon, kryeministri foli më gjerë për çështjen e Kosovës.

“Kjo asamble nuk mund të jetë e plotë pa republikën e Kosovës. Nuk është obsesion, as diçka sapo për të thënë, është ftesë për të njohur realitetet e reja në zemër të Europës”.

Sipas Ramës, “realiteti na ka treguar ne ballkanasve dhe europianëve se një Kosovë sovrane është realitet prej 13 vjetësh, duke shënuar stabilitet. Shqipëria mbështet si alternativë të vetme dialogun midis Kosovës dhe Serbisë që do të sjellë njohjen e ndërsjellët”.

Kryeministri shqiptar foli edhe për vendimin për të mirëpritur refugjatët afganë, “pavarësisht kapaciteteve të limituara, ashtu siç shpëtuam mijëra hebrenj në luftën e dytë botërore, ose gjysmë milion vëllezër kosovar. I detyrohemi historisë tonë si refugjatë deri 30 vjet më parë, në këtë jetë ka një moment kur merr dhe një kur jep”.