Gjatë qëndrimit në SHBA në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland.
Takimin Rama e njoftoi përmes fotove publikuar në rrjete sociale ku ndau gjithashtu edhe temat me të cilat disktuoi me zyrtaren e lartë amerikane.
“Me Nënsekretaren e Shtetit për Çështjet Politike të SHBA, Victoria Nuland, për agresionin iranian dhe planin e përbashkët të fuqizimit të mbrojtjes kibernetike; portin e ri tregtar të Durrësit dhe bazën e re ushtarake detare; krizën energjitike dhe solidaritetin mes vendeve të aleancës pro Ukrainës për përballimin e saj; rolin e Shqipërisë në rajon, Ballkanin e Hapur si platformë paqeje dhe nevojën për përparim thelbësor në dialogun Kosovë-Serbi.”- shkruan Rama.
Në këtë takim, Rama shoqërohej nga ministrja e jashtme Olta Xhacka, Drejtori i Komunikimit në kryeministri, Endri Fuga si edhe ambasadorja shqiptare në SHBA, Floreta Faber.
/TCH/


