Kosova zyrtarisht ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Për këtë ka folur edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili në një intervistë nga Brukseli ka deklaruar se Shqipëria e mbështet Kosovën, ndërsa ka shtuar se Serbia ka të drejtë të mendojë “krejt ndryshe”.
“Kjo nuk do diskutim fare. Ne jemi shumë të qartë. Ne nuk kemi asnjë ekuivok. Ne jemi në mbështetje absolute të Kosovës në çdo hap dhe për çdo gjë që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe komunitetin ndërkombëtar. Ndërkohë që ne kemi qasje komplet tjetër kur vjen puna tek normalizimi i marrëdhënieve hap pas hapi në aspektin ekonomik, në aspektin e lirisë së lëvizjes e të tjera e të tjera, me Serbinë paralelisht me betejën në tryezë, betejën diplomatike për dialog e kështu me radhë sepse besojmë që kjo është rruga, kjo është rruga dhe nga ana tjetër respektojmë plotësisht zgjedhjen e bërë nga autoritetet legjitime, të votuara, të mandatuara, përgjegjëse të Kosovës për të patur një qasje komplet tjetër në këtë aspekt. Por kur vjen puna tek demarshet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, ne jemi 100% me Kosovën. Serbia sigurisht është në të drejtën e vetë të mendojë krejt ndryshe, na vjen keq për Serbinë në këtë rast, por ne do të mbështesim Kosovën!”, ka thënë Rama.
Në anën tjetër, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz, pas dorëzimit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në KE, ka deklaruar se sot nis një kapitull i ri për Kosovën.
“Sapo dolëm nga takimi me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës. Në emër të Republikës së Kosovës dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Evropës, sot hapet një kapitull i ri për Kosovën në Këshillin e Evropës. Sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë e cila do të kalojë nëpër instanca të ndryshme të Këshillit të Evropës, asamblesë parlamentare dhe në fund këshillit ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, vendi më proevropian në rajon dhe vendi më optimist në rajon. Prandaj Kosova meriton të jetë anëtare e Këshillit të Evropës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshill të Evropës dhe këtë në forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasjes së tyre në instanca evropiane”, tha ajo.


