Lajme

Rama: Refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri sa të duan

09/10/2021 22:57
nga:M K

Në një intervistë për shërbimin afgan të Zërit të Amerikës, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s duhet të merrte “pjesën e saj të përgjegjësisë” për të mbrojtur shtetasit afganë që ndihen të rrezikuar nga regjimi taleban.

Rama i tha Zërit të Amerikës se refugjatët afganë mund të qëndrojnë në Shqipëri për aq kohë sa ata dëshirojnë.

Sipas Ramës, shtetasit afganë që ndodhen në Shqipëri do të marrin kujdes shëndetësor falas, ndërsa po hartohet dhe një plan për të krijuar një rrjet mësuesish të cilët do të jenë në gjendje të japin mësim për fëmijët e shtetasve afganë që po strehohen në Shqipëri.

Rama tha se qeveria që ai drejton nuk do të njohë qeverinë e re të talebanëve.

Shqipëria ishte ndër vendet e para që u ofrua të presë qytetarët afganë që u detyruan të linin vendin e tyre për shkak të kërcënimit nga talebanët. Autoritetet shqiptare u shprehën të gatshëm të strehonin deri në 4 mijë persona. Aktualisht, deri më tani, janë mbi 650 shtetas afganë që kanë mbërritur në Shqipëri.