Lajme

Rama pranon ftesën e Trump për Bordin e Paqes

01/20/2026 21:09
nga:Genita C

Shqipëria ka pranuar ftesën e presidentit Trump për të qenë anëtare e Bordit të Paqes.

Kryeministri Rama ka publikuar letrën drejtuar presidentit amerikan, ku zbulon edhe faktin se Parlamenti shqiptar do të duhet të ratifikojë marrëveshjen për të qenë pjesë e kësaj organizate, e cila vjen si iniciativë e Trumpit.

Në postimin e tij në Facebook, Rama shkruan se shumë shpejt ky dokument do t’i përcillet Kuvendit të Shqipërisë për miratim.

Në letër, Rama shpreh vlerësimin e tij për angazhimin e presidentit amerikan dhe falënderimet për ftesën që i ka drejtuar atij personalisht për të qenë pjesë e Bordit, si edhe për ftesën drejtuar Shqipërisë për të shërbyer si anëtare themeluese.

Rama e vlerëson Bordin e Paqes si mishërimin e një domosdoshmërie urgjente për t’i dhënë zgjidhje situatës së konflikteve dhe viktimave të tyre.

Për kryeministrin, kjo nismë ka potencialin të shndërrohet në një model vërtet transformues të ndërtimit të paqes në nivel global dhe mishëron kuptimin se koha, qartësia e mandatit dhe përgjegjësia personale në nivelin më të lartë janë vetë instrumente të paqes.

Ndaj Rama thotë se e sheh si privilegj dhe nder të kontribuojë në këtë përpjekje të rëndësishme dhe për t’u bërë tërësisht pjesë e një angazhimi të përbashkët që synon ta përkthejë vizionin në veprim.