Lajme

Rama paralajmëron masa ligjore në rast të mos-përfshirjes së buxhetit të Prishtinës në ligjin për buxhetin 2026

02/15/2026 14:50
nga:G B

Kryetari i Kryeqytetit, Përparim Rama, mbajti sot konferencë për media lidhur me mos-përfshirjen e Buxhetit të Komunës së Prishtinës për vitin 2026 në Projektligjin për Ndarjet Buxhetore të Republikës së Kosovës.

Ai bëri të ditur se më 6 shkurt 2026, Kuvendi i Kryeqytetit miratoi buxhetin për vitin 2026 dhe se ai është dërguar brenda afateve ligjore në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe në Ministrinë e Financave, por nuk është përfshirë në projektligjin që aktualisht ndodhet në procedurë parlamentare.

“Ky veprim është bërë pa arsyetim dhe pa asnjë bazë ligjore. Kjo nuk është neglizhencë administrative. Kjo është cenim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues,” deklaroi Rama.

Sipas tij, buxheti i Komunës së Prishtinës është i vetmi dokument financiar që i jep Kryeqytetit fuqinë për të ushtruar kompetencat e tij kushtetuese dhe çdo përjashtim arbitrar përbën shkelje flagrante të autonomisë lokale dhe të ligjeve për financat publike.

“Pasojat nuk janë teorike. Ato janë reale dhe të menjëhershme: bllokohen shërbimet publike për qytetarët, ndalen projektet kapitale dhe paralizohet funksionimi institucional i Kryeqytetit,” deklaroi Rama.

Ai theksoi se askush nuk ka të drejtë ta marrë peng Prishtinën dhe se asnjë institucion nuk ka mandat ta vendosë Kryeqytetin jashtë sistemit buxhetor të Republikës.

Kryeqyteti, sipas tij, i është drejtuar menjëherë zyrtarisht Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Kryetares dhe Kryesisë së Kuvendit, duke kërkuar përfshirjen e menjëhershme dhe të plotë të buxhetit të miratuar para votimit final të Ligjit për Buxhetin 2026.

Po ashtu, Ministrisë së Financave i është kërkuar që të paraqesë me shkrim bazën ligjore të mos-përfshirjes, të korrigjojë menjëherë këtë shkelje dhe të japë përgjigje brenda afatit ligjor.

“Nëse Ligji për Buxhetin 2026 miratohet duke injoruar buxhetin e miratuar të Kryeqytetit, ai do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese. Njëkohësisht, do të kërkohet përgjegjësi nga secili autoritet i nivelit qendror që, duke keqpërdorur detyrën dhe autorizimet ligjore, synon ta sabotojë Kryeqytetin,” deklaroi Rama.

“Ligji nuk është çështje vullneti. Ligji është detyrim,” theksoi ai.