Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka reaguar ndaj lajmit të fundit që Sunny Hill Festival nuk do të mbahet në Prishtinë por në Tiranë, raporton GazetaBlic.
Ai akuzon Qeverisë ku thotë se një vendim i tillë do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë.
Rama thotë se dështimi i këtij festivali është humbje për gjithë Kosovës.
POSTIMI I PLOTË:
Të nderuar qytetarë të Prishtinës,
Me keqardhje të madhe mora lajmin se Festivali prestigjioz, Sunny Hill, sivjet, nuk do të mbahet në Prishtinë.
Një vendim i tillë, i shkaktuar kryekëput nga zvarritjet e Qeverisë, do t’i shkaktojë dëm kryeqytetit në kulturë, turizëm, në zhvillimin ekonomik dhe në imazhin e vet të përgjithshëm.
Dështimi i këtij festivali sivjet, është humbje jo vetëm për Prishtinën, por për gjithë Kosovën.
Qeveria e Republikës së Kosovës duke e zvarritur procesin e vendimit të ligjshmërisë, ka tentuar të ndërhyjë në vullnetin dhe integritetin e asambleistëve shumicë të Kuvendit Komunal të Prishtinës, duke bërë përpjekje të vazhdueshme për të ndërhyrë në kompetencat e Kuvendit të Komunës dhe vullnetit të shumicës, e cila përfaqëson sovranin e kryeqytetit.
Ne presim që Qeveria të reflektojë dhe Sunny Hill Festival, t’i kthehet shtëpisë së vet, Prishtinës, dinjitetshëm, ashtu siç e meriton secili qytetar i kryeqytetit.

