Lajme

Rama kritikon Qeverinë: Fondet po u rrinë badihava!

10/01/2024 22:12
nga:Y I

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar qeverinë e Kosovës për mungesën e investimeve në infrastrukturë sportive, kulturore e rrugore.

Në “Debat Plus,” Rama theksoi se fondet qëndrojnë të papërdorura prej katër vjetësh, dhe se Qeveria duhet t’i investojë ato në të gjitha qytetet e Kosovës, jo vetëm për ngjarje të mëdha si Lojërat Mesdhetare.

“Qeveria duhet të fokusohet që të ketë investime të infrastrukturës sportive, kulturore, rrugore etj., në të në të gjithë Kosovë. Pra nuk duhet t’i mbajë fondet badihava. Por duhet t’i investojë jo vetëm tash por qe katër vjet në Qeveri është dashur me i fut në investim jo me i ruajt se Kosovës i vyen investime në secilën fushë. Edhe për këtë arsye, a i kemi apo jo Lojërat Mesdhetare, Qeveria duhet të investojë në secilin qytet. Është qesharake sa iu ndihmon Qeveria, komunave sot. Janë qesharake fondet, që Qeveria i ndan për komunat… për këtë arsye nëse Qeveria investon tash si rezultat i Lojërave Mesdhetare, tash kjo është absolutisht shumë mirë së ardhur, detyra e Qeverisë është të investojë në të gjithë Kosovën, detyra e time është të investoj në Prishtinë. Normal që unë dua që të rritet”, ka thënë Rama.

Ai gjithashtu e kritikoi mënyrën se si, sipas tij, Qeveria ka tentuar të përfshijë kryeministrin në bordin për organizimin e Lojërave Mesdhetare.

“Çka kam parë pas një viti, kam parë një kontratë të re që iu ka dërguar ICMG-së që nuk se kam ditë, në mënyrë të fshehur. Pa e involvuar kryeqytetin. Një kontratë për më qit kryeministrin si kryeses i bordit se kryeministri s’ka punë tjera. Po merret me Serbinë, më çështje të ndryshme në vend”, ka shtuar Rama.