Një agjenci e përbashkët Shqipëri-Serbi-Maqedoni e Veriut për tërheqjen e investimeve të huaja do të ngrihet në kuadër të “Ballkanit të Hapur”.
Vendimi për krijimin e grupeve të përziera ndër-sektoriale të punës për temat e krizës dhe me qëllim krijimin e një agjencisë së përbashkët për tërheqjen e investimeve të huaja në Ballkanin e Hapur është marrë sot gjatë takimit online të Kryeministrit Edi Rama me Kryetarin e Qeverisë së Maqedonisë Veriore, Dimitar Kovaçevski dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në takim morën pjesë zëvendëskryeministrat për Çështje Evropiane dhe Çështje Ekonomike, Bojan Mariçiq dhe Fatmir Bytyqi, koordinatori nacional për Ballkanin e Hapur, Marjan Zabërçanec, drejtori i SHA “Elektranat e Maqedonisë së Veriut”, Vasko Kovaçevski dhe Branko Azeski, kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, raporton Alsat.
Takimi iu dedikua intensifikimit të bashkëpunimit për tejkalimin e përbashkët të vështirësive në furnizimin me ushqim dhe energji, si dhe për të përballuar bashkërisht zjarret e mundshme në të tre vendet këtë verë.
Kryeministri Kovaçevski shprehu falenderime për mbështetjen e hapur që Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Rama e kanë shprehur në lidhje me propozimin e modifikuar evropian, duke informuar se propozim-korniza negociuese për Republikën e Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian përfaqësuar nga presidenca franceze e BE-së, Qeveria e përcolli në Kuvend për shqyrtim dhe miratim të konkluzioneve të mëtutjeshme, në përputhje me procedurat e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Rama dhe Vuçiq përsëritën mbështetjen e tyre për aktivitetet e ndërmarra nga Kryeministri Kovaçevski, gjegjësisht hapjen e konsultimeve të gjera me aktorët shoqëror në vend, duke theksuar se e ardhmja evropiane e rajonit është e vetmja mundësi e mirë për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.
Në takim, u potencua se përgatitjet për panairin e madh të verërave, ushqimit dhe turizmit në Serbi po shkojnë mirë, në të cilin kantinat dhe prodhuesit e verës nga të tre vendet do të kenë mundësinë t’i prezantojnë produktet e tyre para mysafirëve nga rajoni dhe Evropa.

