Liderët e “Ballkanit të Hapur”, Edi Rama, Aleksandar Vuçiq dhe Dimitar Kovaçevski do të marrin pjesë në samitin BE-Ballkani Perëndimor më 23 qershor në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama konfirmoi praninë në samiti, por theksoi se është ende herët për të qenë optimistë për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në një postim në Twitter kreu i qeverisë shqiptare tha se “ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë për Ballkanin e Hapur”.
“Ne do të marrim pjesë në mbledhjen e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar për ne, por ne do të kërkojmë të dëgjohemi për idenë e një Komuniteti të Ri Politik Evropian që ne mbështesim, për Ballkanin e Hapur që çon përpara frymën e Evropës dhe për rrëmbimin tonë nga Bullgaria që shkatërron atë”- shkruhet në postimin e Ramës në Twitter.
Liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ftuar në Bruksel në ditën e parë të Samitit, që do të mbahet më 23 dhe 24 qershor.
Edhe Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë samit.
“Në takimin e liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, presidentja Osmani do ta përçojë mesazhin e qartë të popullit të Kosovës mbi nevojën e përshpejtimit të procesit të integrimit, duke filluar nga liberalizimi i stërvonuar i vizave, deri te mbështetja për statusin e vendit kandidat për Republikën e Kosovës, pas aplikimit”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Komisioni Evropian që nga viti 2018 ka rekomanduar liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, por vendimi i insitucioneve evropiane për këtë çështje ende nuk është marrë.
Në samitin e 23 dhe 24 qershorit, liderët e 27 vendeve anëtare të BE-së do të marrin këtë javë në konsideratë edhe aplikimet për statusin e vendit kandidat të Ukrainës, Moldavisë dhe Gjerogjisë.
We’ll attend the EU Council meeting. There won’t be much to hear about us but we’ll ask to be heard on the idea of a New European Political Community which we support,on the Open Balkan which takes forward the spirit of Europe & on our kidnapping from Bulgaria which destroys it.
— Edi Rama (@ediramaal) June 22, 2022


