Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se nisma e Ballkanit të Hapur nuk është arsye për të pasur probleme mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar se “është një arsye për të diskutuar qetësisht”
Rama ka theksuar se marrëdhëniet mes dy qeverive janë normale, dhe se të dyja kanë potencial të jashtëzakonshëm.
“Nuk mendoj që marrëdhëniet me qeverinë e Kosovës janë në një pikë të ulët. Mendoj që ne jemi në një marrëdhënie normale. Natyrisht që marrëdhënia mes qeverisë së Shqipërisë dhe qeverisë së Kosovës ka një potencial të jashtëzakonshëm dhe asnjëherë nuk është mjaft të thuhet që është e mirë, pasi mund të jetë gjithmonë më e mirë.
Patjetër që kemi një divergjencë lidhur me Nismën e Ballkanit të Hapur, por kjo është një divergjencë që, në këndvështrimin tim, nuk është një arsye për të pasur një problem në marrëdhënie, por është një arsye për të diskutuar qetësisht dhe për ta trajtuar me argumenta dhe me respekt reciprok”, ka deklaruar ai për Zërin e Amerikës.