Lajme

Rama: 64 milionë euro nga BE, shenjë e ecurisë së Shqipërisë drejt anëtarësimit

23 orë më parë
nga:Sh R

Kryeministri Edi Rama ka theksuar se financimi që Shqipëria ka marrë nga Plani i Rritjes i Bashkimit Europian është një shenjë pozitive e ecurisë së vendit në negociatat për anëtarësim. Gjatë një komunikimi live me qytetarët, ai theksoi se “shpejtësia në planin e financimit do të thotë përmbushje e detyrave dhe programit të dakordësuar për ecurinë e mëtejshme të vendit në rrugën e anëtarësimit.” Rama shpjegoi se 64.5 milionë euro që do të ndahen nga BE do të përdoren për mbështetje të reformave dhe infrastrukturës, duke përshpejtuar rrugën drejt integrimit.

“30 milionë euro janë për buxhetin e shtetit si mbështetje për reformat e axhendës kombëtare të reformave dhe 34 milionë euro kalojnë përmes Fondit të Investimeve të Ballkanit për infrastrukturën,” tha ai. Kryeministri gjithashtu theksoi se Shqipëria ka nevojë më shumë se kurrë për BE për shkak të situatës gjeopolitike. Ai citoi një anketë të fundit nga BE, ku 74% e europianëve besojnë se anëtarësimi në Bashkimin Europian ka sjellë përfitime për vendet e tyre. Ky rezultat, sipas Ramës, është një tregues i qartë se Shqipëria duhet të vijojë rrugën drejt anëtarësimit.

“Dua ta filloj nga një anketim i bërë së fundmi në BE, ku ka një rezultat shumë befasues për disa për aspak befasues për disa të tjerë, që për herë të parë që nga bërja e kësaj ankete në 1983, ka një shifër rekord 74% e bllokut të BE që beson se vendi i tyre ka përfituar nga BE”, theksoi Rama.

Kryeministri foli gjithashtu për opozitën, e konkretisht për PD, për të cilën tha se është marrë peng nga Sali Berisha. “Primaret e PD-së treguan shumë qartë praktikën hipokrite, skuthe e pabesë të Berishës. Sa e sa demokratë besuan se iu erdhi dita të vlerësohen për atë që janë, u zhgënjyen, sepse u përdorën për një propagandë hipokrite dhe u lanë jashtë”, deklaroi Rama.

Sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE, Rama shprehu besimin se vendi mund të anëtarësohet deri në vitin 2030. “Sot janë ata që duan për interesin e tyre, jo thjesht për fatin që duam ne. Ka përkuar fati i Europës me tonin, dhe sot janë ata që duan të bashkohen, jo vetëm ne.Ne kemi bërë detyrat tona, kemi shkëlqyer e shkëlqejmë. Ka përkuar fati i Europës me tonin dhe sot janë ata që duan për interesin e tyre jo thjesht për fatin që duam ne.”

Në fund, Rama bëri thirrje edhe për mbështetje të reformës në drejtësi, duke kundërshtuar përpjekjet e opozitës për të shkrirë SPAK. “Altin Dumani ka të gjithë solidaritetin tim përballë sulmeve kafshërore e deri kundër familjes së tij”, tha Rama, duke shtuar se “PS ka bërë reformën në drejtësi dhe ka dorëzuar shpatën e ndëshkimit drejtësisë.”