Numri dy i NATO-s, rumuni Mircea Geoana, qëndroi të enjten në Kosovë për vizitë zyrtare.
Zëvendëssekretari i Aleancës Veriatlantike u prit nga presidentja e Republikës Vjosa Osmani, pas takimit me të cilën nuk pati deklarime për medie, përveç një kumtese që e para e shtetit e lëshoi në rrjete sociale, ku foli për lidhjen speciale të Kosovës me NATO-n, sidomos në momentin aktual.
“Uniteti transatlantik është vendimtar për t’i mbrojtur vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe lirisë, si dhe për ta luftuar ndikimin keqdashës të Rusisë dhe satelitëve të saj”, shkroi më tej presidentja.
E ata që Osmani i njeh si satelitë të Rusisë në rajon, serbët, më saktë krerët politikë të tyre në Kosovë qenë të radhës që e pritën zëvendëssekretarin e NATO-s në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Goran Rakiq tregoi se brenda takimit 50 minutësh me Geoanën foli për paqen që, sipas tij, u mungon serbëve.
“Porosia jonë ishte se dialogu nuk ka alternativë dhe se dialogu duhet të vazhdojë në nivel Beograd-Prishtinë, sepse vetëm ashtu kemi paqe në terren. Kurdo që në terren ka veprime të njëanshme nga ana e Prishtinës ne në terren kemi problem, pra sulme ndaj komunitetit serb”, deklaroi Rakiq për Klan Kosovën.
Mircea Geoana paraprakisht ishte pritur në Film City nga komandanti i KFOR-it Ferenc Kajari dhe takoi krerët e EULEX-it, UNMIK-ut dhe OSBE-së në një tryezë të përbashkët me ushtarët e KFOR-it.


