Sporti

Rahoveci fitues i Superkupës, mund Kastriotin

09/13/2025 23:21
nga:Mergim Rreci

Superndeshje e vërtetë u zhvillua mbrëmjen e së shtunës në palestrën “Bill Clinton” në Ferizaj, ku Rahoveci dhe Kastrioti u përballën për trofeun e Superkupës së Kosovës në hendboll.

Pas një drame të madhe dhe përballje të fortë deri në sekondat e fundit, “Vreshtarët” dolën fitues me rezultat minimal 31:30, duke e siguruar për herë të dytë radhazi këtë trofe prestigjioz.

Atmosfera ishte e zjarrtë përballë afro 2500 shikuesve, ndërsa loja u karakterizua nga duele të forta dhe momente vendimtare.

Për Rahovecin, më efikasi ishte Arbios Mushkolaj me shtatë gola, pasuar nga Ardit Tafilaj me pesë, si dhe Mali Luzha e Hamdi Salihu me nga katër gola secili. Në portë u dallua Arbër Curri me pritje të rëndësishme në çaste kyçe.

Te Kastrioti, Festim Mustafa spikati me tetë gola, ndërsa Adonit Isufi shënoi gjashtë dhe Beni Sula pesë. Portierët Dardan Dugolli e Wadi Chebbi gjithashtu u shfaqën në formë të mirë.

Trofeun e Superkupës kapitenit të Rahovecit, Egzon Gjukës, ia dorëzoi presidenti i Federatës së Hendbollit të Kosovës, Edin Kolgeci.

Kjo ndeshje e madhe paralajmëron një garë tepër të fortë për titullin e kampionit në sezonin e ri.