Projektligji për Investime të Qëndrueshme, ka për qëllim të rregullojë promovimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve dhe eksporteve të qëndrueshme në Kosovë. Përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës, vlerësojnë se ky ligj do të jetë i dobishëm për investime të huaja në Kosovë, përderisa njohës të ekonomisë bëjnë thirrje për sundim të ligjit dhe stabilitet politik.
Projektligji për investime të qëndrueshme, synon nxitjen e zhvillimit ekonomik, duke e orientuar në prodhim dhe eksport. Duke folur për Radio Kosovën kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, thotë se ky ligj, ka një qartësim të procedurave dhe të fushave ku Kosova mendon që janë investime strategjike, për të bërë biznes në Kosovë.
“Mundësitë tani janë më të mëdha për t’i ndihmuar investimet e huaja, dhe ne kemi nevojë shumë për investime të huaja dhe kualitative në Kosovë, e që krijojnë vende pune dhe që krijojnë zhvillim ekonomik të Kosovës. Ka qenë kërkesë e kohës, dhe është shumë mirë që Ligji për Investime të Qëndrueshme dhe ritheksoj se përveç objektivave dhe fushave, është qartësuar edhe mënyra se çka përfitojnë bizneset, është paraparë cilat do të jenë lirimet, mundësitë që ofron shtetit në dhënien e pronës publike për investime, dhe pres që edhe gjatë fazave në Kuvendin e Kosovës të përgatitet dhe të bëhet një ligj i mirë për tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë”, tha Rafuna.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, thotë se Kosova nuk ka problem me mungesë të ligjeve, por ka nevojë për zbatim dhe implementim të tyre. Duke folur për Radio Kosovën, ai thotë se emërues i përbashkët i gjithë këtyre pasojave ekonomike, është mos stabiliteti politik.
“Pa stabilitet politik, nuk besoj që edhe ky ligj do ta ketë efektin e vet, prandaj besoj se duhet të jemi në aktivë në dialog, në partneritet në zgjidhjen e problemit apo arritjen e një ujdie ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe derisa Kosova do ta ketë këtë litarë dhe nuk do të jetë i zgjidhur, ne do të flasim për investime të huaja, por ato nuk do të jenë në Kosovë . Prandaj ligji e ka efektin e vet nëse do të kemi stabilitet ekonomik dhe sundim të ligjit, ndërsa do të ketë efekt të keq, nëse këto dy shtylla lënë hapësirë për të dëshiruar, por nëse nuk do të arrihet stabilitet politik, mos të mendohet se do të kemi brende prestigjioze ndërkombëtare të cilat me praninë e tyre në Kosovë, përveç rëndësisë ekonomike do ta kishim edhe aspektin social”, tha Gërxhaliu .
Projektligji për investime të qëndrueshme, do t’i zëvendësojë Ligjin për Investime Strategjike dhe Ligjin për Investimet e Huaja. Ndër të tjera, projektligji parasheh të drejtat dhe detyrimet e investitorëve, shpalljen dhe zbatimin e projekteve të investimit strategjik, eksportet si dhe kompetencat për përkrahje dhe zhvillimin e ndërmarrjeve në Kosovë.