Lajme

Radoniqi: Moscertifikimi i Listës Serbe s’ka bazë ligjore

12/24/2024 11:47
nga:N K

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka thënë se moscertifikimi i Listës Serbe nga ky organ nuk ka bazë ligjore.

Radoniqi tha se moscertifikimi nuk ka bazë ligjore, ndërsa sipas tij, certifikimi ka bazë ligjore pasi tha se aplikimi i Listës Serbe ka kaluar në filtrat e verifikimit të Zyrës për Certifikimin e Partive Politike.

“Jo nuk ka bazë ligjore moscertifikimi, bazë ligjore ka certifikimi. Aplikimi i ka kaluar filtrat e verifikimit të Zyrës për Certifikimin e Partive Politike dhe pas krejt verifikimeve ka konstatuar se është në rregull dhe ka rekomanduar certifikimin”, tha Radoniqi për KlanKosova.

Radoniqi tha se çështjet që janë ngritur dje në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për sa i përket Listës Serbe, janë çështje të organeve të drejtësisë dhe jo të KQZ-së.

Lista Serbe dje nuk u certifikua për të marrë pjesë në zgjedhje, ku pro certifikimit ishte veç Radoniqi, ndërsa kundër ishin dy anëtarët e VV-së, teksa anëtarët e partive të tjera nuk morën pjesë në votim.