Gazmir Raci, analist politik dhe ish koordinator për Dialogun, tha se Kosova ka përfituar nga marrëveshjet nga dialogu teknik duke marrë kodin e saj telefonik +383 dhe se ka pasur progres pozitiv në lirinë e lëvizjes dhe vendosjen e pikave doganore në pjesën veriore.
Por, ai shtoi se Kosova nuk duhet të vazhdojë me dialog teknik por me fokus në arritjen e një marrëveshje finale pasi që përmes dialogut teknik Serbia synon që të rihapë marrëveshjet e kaluara siç ka bërë me marrëveshjen për energji dhe për targat.
Ai shtoi se, është problematike kërkesa e komunitetit ndërkombëtar ndaj Kosovës për të zbatuar Asociacionin por për të mos zbatuar vendimin për targa i cili është në bazë të marrëveshjes së Brukselit.
Në këtë drejtim, ai theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë shumë i vendosur dhe të ketë plan konkret se çfarë parashihet pas 10 muajve nëse Kosova e shtyn zbatimin e këtij vendimi.


