Ish pjesëmarrësi në dialogun teknik mes Kosovës e Serbisë, Gazmir Raci, ka folur për rreth përplasjes me fjalë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesit të lartë për dialogun Kosovë – Serbi, Josep Borrel.
Ai tha kjo përplasje ishte një realitet i cili për herë të parë po flitet hapur për çështje të tilla dhe për herë të parë po shihen në publik dallim që ekzistojnë në këtë proces mes Kosovës e Serbisë.
Raci tha se është momenti i duhur që dialogut mes Kosovës e Serbisë ti jepet kahje tjetër dhe gjithashtu të ketë angazhim më të madh të SHBA-së për marrëveshje finale mes dy vendeve.
“Hyrja në dialogun teknik po krijon probleme që tashmë i kemi në publik e që nuk do duhej të shfaqeshin në forma të tilla sepse e pengojnë procesin e dialogut”.
“Por, Kurti e foli një të vërtetë që tashmë ai e ka marrë edhe besimin qytetarë dhe ai po i shtynë përpara propozimet e tija”.
“Është qasje e re, nuk do të mund ta cilësoja si konfrontim diplomatik. Është qasje e re, që po tentohet që procesi i dialogut të jetë më transparent, por mendoj se çështja të tilla do duhej të sqaroheshin në takime kokë më kokë, dhe se zakonisht në bazë të protokollove diplomatike probleme të tilla nuk publikohen, e këtu ia shton pjesën që ky është një dialog shumë i ndjeshëm”, është shprehur Raci në “Edicioni Special” në Klan Kosova.
Tutje, Raci tha se për Kosovën më e rëndësishme është zbardhja e të pagjeturve sesa themelimi i ndonjë asociacioni, por arsyeja se pse po ndodh kjo, sipas tij, është hyrja në dialog teknik
“Për Kosovën është më e rëndësishme zbardhja e të pagjeturve dhe mbyllja e një plage që për ne po kullon gjak, dhe mendoj se më prioritet është zbardhja e fatit të të pagjeturve se sa themelimi i ndonjë asociacioni. Por, hyrja në dialog teknik mendoj se i ka shkaktuar këto probleme”, është shprehur Raci.