Lajme

Raci: Në LDK që nga beteja Mustafa-Sejdiu nuk ka pasur betejë demokratike

07/13/2022 22:50
nga:Q R

Opinionisti Gazmir Raci ka thënë se në Lidhjen Demokratike të Kosovës nuk ka zgjedhje të brendshme demokratike që nga koha kur në garë për të parin e partisë ishin Fatmir Sejdiu dhe Isa Mustafa.

Ai, në Rubikon të Klan Kosovës, ka theksuar se Lumir Abdixhiku erdhi në krye të LDK-së me anë të marrëveshjeve të brendshme.

“Në LDK prej betejës së Mustafës dhe Sejdiun nuk kam parë betejë demokratike me kundërkandidat të fuqishëm. Abdixhiku nuk erdhi në krye të LDK-së me një program të qartë”.

“Ai erdhi edhe me një marrëveshje që krijoi me disa njerëz që kanë anëtarë kanë votë në Kuvendin e LDK-së , në mesin e tyre është Gazmend Muhexhiri, Imri Ahmeti, Lutfi Haziri, janë tri katër degë që kanë shumicën në Kuvendin e LDK-së,kjo shihet botërish, nuk është një lider që erdhi me planprogram”.

“Ai erdhi me marrëveshje siç di ti bëjë LDK-ja gjithmonë, pa një marrëveshje të fuqishme brenda LDK-së ai nuk do të mund të bëhet kurrë kryetar i LDK-së”,ka thënë Raci.