Lajme

Raci: Deklarata e Macron, presion politik ndaj Kosovës, e pamundur të anulohet liberalizimi i vizave!

10/17/2023 16:40
nga:Y I

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ‘kërcënoi’ sot nga Tirana se Kosovës mund t’i pezullohet liberalizimi i vizave raporton Gazeta Blic.

Macron tha se kjo mund të bëhet për shkak të “mos-respektimit të fjalës së dhënë” duke e akuzuar Kosovën se nuk e mbajti fjalën për Asociacionin.

Në lidhje me deklaratën e Macron kanë folur edhe nga zyra e presidentit.

“Presidenti ka folur për tensionet mes Serbisë dhe Kosovës. Ai tha se cilat ishin kërkesat tona. Në këtë kontekst dhe duke marrë parasysh bllokadën e Prishtinës, presidenti vlerësoi se çështja e liberalizimit të vizave mbetet e hapur. Për më tepër, është një proces teknik dhe një diskutim që duhet bërë me partnerët tanë evropianë” u tha nga Zyra e Presidentit të Francës në një përgjigje për ABC News.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Gazmir Raci, duke dolur në lidhje me këtë çështje tha për “Gazeta Blic” se ky është një lloj presioni publik-politik ndaj Kosovës dhe Serbisë për shkak se të shtunen në Kosovë do të vijnë ndërmjetësit e dialogut.

“Unë mendoj se ky është një lloj presioni publik politik ndaj Kosovës edhe Serbisë për shkak se të shtunen do të vijnë në rajon ndërmjetësit e dialogut të Brukselit”

Raci shpjegoi se është e pamundur në këtë fazë të anulohet liberalizimi i vizave.

“Teknikisht dhe juridikisht është e pamundur në këtë fazë të anulohet liberalizimi i vizave sepse rregulloret në fuqi për liberalizimin e vizave nuk e parashohin një vendimarrje të tillë para se liberalizimi i vizave me hy në fuqi” deklaroi Raci për “Gazeta Blic”.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme janë deklaruar për “Gazeta Blic” në lidhje me deklaratën presidentit francez Macron.

MPJD ka thënë se nuk ka pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave dhe se deklarata e Macron është interpretuar gabimisht.

“Sa i përket pyetjeve tuaja, lidhur me deklaratën e bërë sot nga Presidenti i Francës, z. Macron, e cila duket madje edhe të jetë interpretuar gabimisht, ju njoftojmë se institucionet e Republikës së Kosovës deri më tani nuk kanë pranuar asnjë vendim tjetër zyrtar për çështjen e liberalizimit të vizave”, thuhet në përgjigjen e MPDJ për Gazeta Blic.

/Gazeta Blic/

Deklarata e Macron/ Flasin nga Ministria e Jashtme: U interpretua gabimisht, për vizat vendos BE – s’ka procedurë për pezullim