Lajme

Raci: Çdo institucion i Serbisë në Kosovë, është paralel dhe ilegal të cilin mund ta mbyll Republika e Kosovës

08/06/2024 15:34
nga:Sh R

Policia e Kosovës dje ka mbyllë nëntë objekte të Postës së Serbisë që vepronin ilegalisht në veri të Kosovës.

Lidhur me këtë analisti politik Gazmir Raci, përmes një postimi në rrjetin social facebook, ka thënë se çdo institucion i Serbisë në Kosovë është paralel dhe ilegal të cilin mund ta mbyll Republika e Kosovës.

“Marrëveshja për Telekomunikacionin 2013 dhe Plani i Veprimit 2015 nuk parashikojnë vazhdimin e Postës paralele serbe në Kosovë. Këto dokumente adresojnë nevojën për bashkëpunim mes postave të të dyja vendeve në shkëmbimet postare. Çdo institucion i Serbisë në Kosovë është paralel dhe ilegal të cilin mund ta mbyll Republika e Kosovës”, shkroi ai.

Pas këtij veprimi ka pasur reagime të shumta nga aleatët ndërkombëtarë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se ky aksion është kundër dialogut Kosovë – Serbi, dhe se ky veprim çon në tensione të reja. Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë shprehur thellësisht të zhgënjyer me veprimet e autoriteteve të Kosovës. Sipas ambasadës amerikane, këto veprime janë të njëanshme dhe të pakoordinuara, e të cilat sipas tyre, i vënë qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik të madh.

Njësoj ka reaguar edhe Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ku këtë veprim e ka cilësuar si hap të njëanshëm dhe të pakoordinuar nga ana e Kosovës.