Një qytetar në Gjakovë gjatë ditës së djeshme ka prerë një lis të gjatë në afërsi të Stacionit të Autobusëve.
Lidhur me këtë rast ka reaguar sot Komuna e Gjakovës. Në reagimin e komunës thuhet se me rastin është duke u marrë policia dhe prokuroria.
“Ky veprim ka ndodhur pa njoftimin dhe aprovimin e komunës dhe si i tillë është i dënueshëm. Ky nuk është rasti i vetëm që po ndodh. Në të gjitha rastet do të ndërmerren masat e nevojshme ligjore dhe presim nga policia dhe prokuroria që edhe ata ti ndërmarrin masat e duhura ligjore për këto raste”, thuhet në reagim.
Ne mes te dites ne Gjakove 😲
Nuk e di as kush, as pse‼️
U skandalizova. Por kur pe mendoj, me qindra drunj te tille priten cdo dite ne malet tona.Tash krejt kemi me lype me u denu ky tipi, e garant edhe denohet. Nderkohe malet vazhdojne me u pre. pic.twitter.com/yDGAJP7jOX
— Nol Nushi (@nolnushi) March 17, 2024
Tutje komuna ka shtuar se dëmtimi i gjelbërimit dhe pronës publike është dëm i madh që i shkaktohet komunës dhe qytetarëve të komunës së Gjakovës.
“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që kurdo që vërejnë veprime të tilla përpos postimit në rrjete sociale, menjëherë ta lajmërojnë Policinë dhe Inspektoratin komunal”, thuhet tutje në reagim.
Ndryshe pamjet e prerjes së këtij lisi në afërsi të Stacionit të Autobusëve në Gjakovë i ka bërë publike, aktivisiti i PSD-së, Nol Nushi në platformën “X”.
Ai ka shkruar se qindra dunjt të tillë priten çdo ditë në malet tona.