Opinion

Qytetarëve i duhet një buxhet me pjesëmarrje

06/21/2022 19:11
nga:Elmedina Dorambari

Elmedina Dorambari / Hulumtuese KDI

E konceptuar mbi parimin e subsidiaritetit, qeverisja lokale në Kosovë është hallka e parë në ofrimin e shërbimeve publike për qytetarët  e komunave përkatëse.  Si njësi themelore e vetëqeverisjes lokale, bazuar në  Kushtetutën e Republikës së Kosovës, komunat gëzojnë shkallë të lartë të vetëqeverisjes lokale dhe inkurajojnë e sigurojnë pjesëmarrje aktive të të gjithë qytetarëve në procesin e vendimmarrjes së organeve komunale.

Mbi këto premisa, institucionet ligjvënëse gjatë miratimit të legjislacionit kanë obliguar komunat të kenë angazhim konkret në rritjen e pjesëmarrjes së qytetareve në të gjitha proceset vendimmarrëse në nivel lokal, duke përfshirë pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e planifikimit të buxhetit komunal.

Por, a kanë siguruar komunat pjesëmarrjen aktive të qytetarëve në proceset vendimmarrëse gjatë dy dekadave të fundit?!

Raportet e ndryshme të organizatave ndërkombëtarë, vendore dhe institucioneve publike, në vazhdimësi kanë kërkuar angazhim konkret të institucioneve lokale,  me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në proceset vendimmarrëse, si në proces të hartimit ashtu edhe në proces të zbatimit të politikave në nivel lokal. Projekt buxheti i komunës, i konsideruar si një nga politikat më madhore në nivel lokal, duhet të jetë gjithëpërfshirës.

Në kuadër të kësaj politike publike, duhet të planifikohen çdo e hyrë dhe shpenzim për një vit fiskal. Qytetarët, si taksapagues dhe gjenerues edhe i buxheteve komunale, kanë të drejtën e informimit edhe të japin propozime konkrete në planifikimet e buxheteve komunale.

Komunat, të obliguara në organizimin e dëgjimeve buxhetore, kanë mbetur në fazën e informimit të qytetarëve mbi planifikimin e buxhetit komunal, nga fakti se forma dhe mënyra e organizimit aktual e dëgjimeve buxhetore nga qeveritë lokale pamundëson një analizë dhe reflektim mbi atë se sa janë marrë për bazë dhe sa janë reflektuar në projeksionet buxhetore kërkesat e qytetarëve të dhëna gjatë organizimit të dëgjimeve buxhetore në fazën e planifikimit të buxheteve komunale. Pra, si rezultat i kësaj, komunat nuk kanë arritur të konceptojnë dhe zhvillojnë buxhetimin me pjesëmarrje.

Por çka konsiderohet Buxhetim me Pjesëmarrje?
Buxhetimi me pjesëmarrje përfaqëson një qasje me demokraci të drejtpërdrejtë ndaj planifikimi të buxhetit.

Buxhetimi me pjesëmarrje gjithashtu forcon qeverisjen gjithëpërfshirëse duke u dhënë mundësi grupeve të margjinalizuara dhe të përjashtuara t’u dëgjohet zëri dhe të ndikojnë në vendimmarrje publike e cila është jetike për interesat e tyre. Modeli i Porto Alegre, modeli i Bashkisë së Elbasanit si dhe modeli i komunave në Gjermani, mbeten ndër modelet më të zhvilluara në Buxhetimin me Pjesëmarrje.

Nën buxhetimin me pjesëmarrje të stilit të Porto Alegre, qytetarët dhe organizatat e shoqërisë civile marrin pjesë drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve buxhetore përmes një cikli njëvjeçar të forumeve masive të qytetarëve, pjesëmarrje në forume tematike që trajtojnë çështje specifike, si shëndetësia, arsim si dhe zgjedhjen e delegatëve të përkushtuar qytetarë, të cilët formojnë një Këshill të Buxhetimit me Pjesëmarrje. Ky këshill i shqyrton propozimin përfundimtar të buxhetit.

Bazuar në praktikat e avancuara të buxhetimit me pjesëmarrje, standardi aktual i organizmit të dëgjimeve buxhetore në qeverisjen lokale në Kosovë, nuk i përmbushë kriteret e tillë.

Pra, buxhetimi me pjesëmarrje është përtej organizimit të dëgjimeve buxhetore që aktualisht komunat në nivel vendi kanë filluar të praktikojnë në masë të madhe. Për më tepër, deri më tani asnjë nga komunat në nivel vendi nuk e ka fuqizuar ndonjë mekanizëm standardizues, për t’i ndihmuar vetë institucionin në planifikim e buxhetit me pjesëmarrjen e gjerë të publikut.

Me qëllim të rritjes së standardit dhe përafrimit me konceptet e buxhetimit me pjesëmarrje, institucionet qendrore dhe lokale duhet të ndërmarrin disa veprime konkrete si:

• Ministria e Administrimit Pushtetit Lokal (MAPL),  duhet të dizajnoj një udhëzues model për komunat me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve të ndryshme në ndërtimin e mekanizmave operues për planifikimin e buxhetit me pjesëmarrje qytetare. Kombinimi i modelit të  Porto Alegros, bashkisë së Elbasanit si dhe model Gjerman, duke ju përshatë kontekstit lokal / komunave të Kosovës do të ishte një lehtësi e madhe për zbatim të plotë të Buxhetimit me Pjesëmarrje nga ana e Komunave;

• Komunat duhet të rrisin komunikimin me qytetarët pjesëmarrës në dëgjimet buxhetore me qëllim të informimit të tyre për statusin e kërkesave të parashtruara gjatë dëgjimeve buxhetore;

• Anëtarët e kuvendeve të komunave duhet të rrisin angazhimin e tyre në proces të planifikimit të buxhetit komunal sidomos në nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve dhe grupeve të caktuara qytetarë në organizimin e dëgjimeve buxhetor në nivel komune;

• Kuvendi i komunës të luaj rolin mbikëqyrës të procesit të planifikimit të buxhetit me pjesëmarrje dhe të kërkojë llogaridhënie nga ana e ekzekutivit / kryetarit për procesin e planifikimit të buxhetimit me pjesëmarrje dhe ofrimin e raporteve mbi pranueshmërin e kërkesave të qytetarëve në planifikimet buxhetore;

• Institucionet lokale të krijojnë partneritete me mekanizma të ndryshëm Organizatat e Shoqërisë Civile me qëllim të nxitjes dhe përfshirjes së grupeve të margjinalizuara në planifikimin e buxhetit komunal.